Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka marrë nën operim të përkohshëm terminalin doganor në Pejë, pasi operatorit i ka skaduar licenca për operim.
Në njoftimin e Doganës të enjten u tha se do të evitohet pagesa që bizneset e kanë kryer në hyrje të terminalit, e cilësuar si sfidë në Raportin e Progresit.
“Pas skadimit të licencës për operim të terminalit të Pejës, Dogana e Kosovës ka dakorduar kushtet me operatorin për të marr në operim të përkohshëm këtë terminal, me qëllim të vijimit të ofrimit të pa ndërprerë të shërbimeve ndaj operatorëve ekonomik, ngjashëm si në aranzhimet në Merdar. Nga fillimi i operimit të këtij aranzhimi, do të evitohet pagesa që kanë paguar bizneset për hyrje në terminal, e cila është identifikuar si sfidë e vazhdueshme në raportin e progresit, pasi që si mënyrë nuk bazohet në praktikat evropiane”, njoftoi Dogana e Kosovës në Facebook.
Ky institucion njoftoi se janë identifikuar disa mundësi për zgjidhjen e përhershëm të kësaj çështjeje, me ç’rast ka bashkëpunuar me Komunën e Pejës.
Dogana është në pritje të kësaj zgjidhjeje.