- Bundesbank mund të goditet më keq, me rrezikun e nje kapital negativ
- Rregullat e Eurozonës ndoshta nënkuptojnë kosto fiskale për qeveritë
Javën e ardhshme, bankat qendrore të eurozonës do të deklarojnë humbjet e tyre për herë të parë pas një dekade kartmonedhash, duke paralajmëruar një epokë të re kontrolli, si dhe perspektivën e paketave të lehtësimit të taksapaguesve.
Kur Banka Qendrore Europiane (European Central Bank, ECB), të shpallë rezultatet vjetore ditën e enjte, zyrtarët do të paralajmërojnë mungesa të mëdha për këtë vit dhe vitin e ardhshëm, në të gjithë rajonin, pasi normat më të larta të interesit po shkaktojnë rritjen e kostos së depozitave të shërbimit, të hapura me anë të lehtësimit sasior (quantitative easing, QE).
Publikimi i ECB do të parashikojë një sërë raportesh të vështira kombëtare, me Bundesbank të Gjermanisë që mund të goditet më rëndë nga të gjitha bankat e tjera qendrore.
“Rezultatet do të jenë negative për shumë banka në vitin 2022, për shkak të mospërputhjes së normave të interesit mbi aktivet dhe detyrimet”, tha në një intervistë Guvernatori i Bankës së Portugalisë, Mario Centeno. “Ne financohemi tani me norma interesi më të larta, të cilat nuk përputhen me kthimin e obligacioneve dhe të gjitha llojet e borxheve në bilancin e bankës qendrore.”
Humbjet e Eurozonës do t’i shtohen një liste shembujsh në nivel botëror, me Bankën Kombëtare të Zvicrës, që pati një rënie rekord muajin e kaluar. Perspektiva i ka nervozuar disa zyrtarë për shkak të problemeve të mundshme fiskale.
Por, bankat qendrore mund të operojnë edhe me kapital negativ dhe nuk mund të falimentojnë. Mbi të gjitha, humbjet mund të mos kenë ndikim në politikën monetare.
Bundesbank ndoshta do të ketë humbje të vogla për vitin 2022, duke u rritur në 26 miliardë euro në 2023, nëse normat e ECB qëndrojnë në nivelet aktuale, sipas Daniel Gros, anëtar bordi i Qendrës për Studime të Politikave Europiane në Bruksel.
Kjo do të hiqte 20 miliardë euro provizione për humbjet në programet e blerjes së aseteve, si dhe kapitalin dhe rezervat e saj prej 5 miliardë eurosh. Për një kompani, kjo mund të nënkuptojë falimentim.
Bundesbank ka provizione kundrejt humbjeve
Megjithatë, herën e fundit që banka ka pësuar humbje disa herë rradhazi, në vitet 1970, zyrtarët e kaluan rënien në vitet në vijim, duke parashtruar mundësinë që kjo gjë mund të përsëritet.
Homologët e tjerë do të përballen gjithashtu me humbje të mëdha në 2023, por jo aq të mëdha sa të rrezikojnë zhdukjen e kapitalit. Gros pret që ato të arrijnë në 17 miliardë euro në Francë, 9 miliardë euro në Itali dhe 5 miliardë euro në Holandë. Nëse normat mbeten të larta në vitin 2024, bankat qendrore holandeze dhe franceze do të rrezikohen gjithashtu nga kapitali negativ.
Në shtator, shefi i bankës qendrore holandeze Klaas Knot, paralajmëroi qeverinë e tij për “humbje kumulative që do të jenë të konsiderueshme” në vitet e ardhshme. “Në një rast ekstrem, një kontribut kapital” nga taksapaguesit “mund të jetë i nevojshëm,” tha ai.
Jerome Haegeli, kryeekonomist në Swiss Re dhe një ish-zyrtar i SNB-së, tha se humbjet ka të ngjarë t’i nënshtrojnë bankat qendrore dhe programet e tyre të printimit të parave.
Kombinimi i inflacionit të lartë, i shkaktuar pjesërisht nga QE, si dhe çdo transfertë nga tatimpaguesit për të rimëkëmbur vlerat negative të kapitalit, mund të shihet si “një super taksë për ekonomitë”, tha ai.
“Së bashku me bankat qendrore që nuk ofrojnë më fitime të papritura, deficiti publik rritet,” tha ai. Në rastin më të keq, mbushja e mungesave financiare në bankat qendrore, mund të nënkuptojë se qeveritë “kanë nevojë për taksa edhe më të larta”.
Ndikimi i dyfishtë vë në rrezik “asetin më të rëndësishëm të bankave qendrore, që është pavarësia e tyre de facto”, tha Haegeli.
Humbjet lindin sepse ECB krijoi likuiditet duke blerë 5 trilionë euro në obligacione kryesisht qeveritare, për të nxitur inflacionin dhe për të stabilizuar tregjet financiare gjatë pandemisë. Një pjesë e madhe e këtyre fondeve u kthyen si depozita.
Bankat qendrore kombëtare paguajnë interes për to me normën e ECB, tani 2.5%. Fondet janë obligacione me kupon fiks, që paguajnë mesatarisht vetëm 0.5% interes, sipas Gros.
Megjithëse vendimet monetare merren nga ECB, operacionet drejtohen në nivel kombëtar. Bundesbank është prekur më keq, sepse obligacionet e qeverisë gjermane shiheshin si një port i sigurt, me norma kthimi të ulëta apo edhe negative. Banka e Greqisë, e cila bëri blerje shumë më të vogla dhe me norma të larta të obligacioneve kombëtare, ka të ngjarë të qëndrojë fitimprurëse.
Institucionet e Eurozonës i kanë parashikuar këto rënie. Totali i kapitalit dhe rezervave ndaj humbjeve në sistemin e përgjithshëm janë 229 miliardë euro, sipas ECB. “Bankat qendrore bënë një sasi të madhe provizionesh gjatë këtij cikli të shkurtër rezultatesh shumë të mira,” tha Centeno.
Për vite të tëra, këto fitime ndihmuan gjithashtu në financimin e shpenzimeve qeveritare dhe ndryshimi tani do të thotë se për të rindërtuar bilancet mund të nevojiten fonde publike.
Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar ka miratuar një transferim prej 11 miliardë £ (13.2 miliardë dollarë), në Bankën e Anglisë me një dëmshpërblim të rënë dakord paraprakisht.
Banka qendrore e Zvicrës nuk ka pasur nevojë për një rritje të kapitalit pas humbjes më të madhe në historinë e saj, ekuivalente me rreth një të pestën e PBB-së zvicerane. Por SNB ka anashkaluar një pagesë vjetore për autoritetet për herë të dytë, dhe zyrtarët kanë filluar të zvogëlojnë bilancin, duke kufizuar mungesat e ardhshme.
Një humbje prej 36.7 miliardë dollarë australianë (25.1 miliardë dollarë) në Bankën Qendrore Australiane, e ka lënë atë me 12.4 miliardë dollarë kapital negativ. Ajo tha në qershor se shpresonte të rimëkëmbte rezervat, duke ruajtur fitimet e ardhshme dhe nuk i ka kërkuar para të qeverisë.
Sipas drejtuesit të BIS, Agustin Carstens, kjo është pozitive. Ai tha këtë muaj se bankat qendrore “mund dhe kanë funksionuar në mënyrë efektive” edhe me kapital negativ. “Qëllimi përfundimtar për bankat qendrore nuk është fitimi, por e mira publike”. /Bloomberg/