Ferrari shënoi fitime rekorde në vitin 2022

Ferrari (RACE.MI) parashikon rezultate “edhe më pozitive” këtë vit, deklaroi sot shtëpia automobilistike, pasi regjistroi rritje me 16% të fitimeve bazë vitin e kaluar, falë rritjes së shitjeve të makinave të saj sportive luksoze.

Rritja e dërgesave të makinave u udhëhoq nga Ferrari Portofino M dhe nga familja SF90, përveçse nga 296 GTB dhe 812 Competizione.

Shoqëria në Maranello e mbylli bilancin me fitim neto 939 milionë euro, në rritje me 13% krahasuar me një vit më parë. Dërgesat totale arritën në 13.221 njësi, në rritje me 18.5% krahasuar me 2022, të ardhurat neto arritën në 5 miliardë, me rritje 19.3%.

Reklama e sponzorizuar

“Kërkesat janë të qëndrueshme, duke përfshirë këtë vit dhe një pjesë të mirë të vitit të ardhshëm” – deklaroi para gazetarëve, CEO i Ferrari, Benedetto Vigna.

Vigna tha se planet për modelin e ri Purosangue 390.000 euro (428.000 dollarë), me katër vende, po vijojnë sipas parashikimeve, dhe dërgesat te klientët pritet të nisin në tremujorin e dytë.

“Kërkesat për Purosangue kanë qenë jashtëzakonisht të larta, përtej pritshmërive” – deklaroi Orwa Mohamad, analist në Third Bridge, duke shtuar se Purosangue do të rrisë bazën e klientëve të Ferrari në vitin 2023.

“Ferrari regjistroi ecuri të fortë, me marzhe fitimi tërheqëse dhe një nga rritjet më të rëndësishme të vëllimit gjatë 10-12 viteve të fundit” – tha ai.

Aksionet e shtëpisë automobilistike, në Bursën e Milanos, u rritën pas publikimit të rezultateve dhe në orën 13:20 ishin në rritje me 4.1%.

Këto të dhëna përbëjnë bazën që viti 2023 të jetë edhe më i fortë, i nxitur nga kërkesa gjithnjë e më e lartë për produktet tona në të gjithë botën” – deklaroi Vigna.

Reuters