Vërshimet e mëdha si pasojë e reshjeve një muaj më parë në komunën e Skenderajt, kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Reshjet e dendura të shiut kanë bërë që Skenderaji të jetë një nga komunat më të dëmtuara nga vërshimet dhe përmbytjet, dhe sipas kryetarit të Komunës, Fadil Nura, dëmi material nga këto reshje është rreth 10 milionë euro.
Për t’u dalë në ndihmë banorëve të prekur nga vërshimet është krijuar Fondi Emergjent i Vërshimeve, ku sipas një njoftimi të Komunës së Skenderajt, deri më sot janë grumbulluar afër 400 mijë euro.
“Ka vazhduar nga ana e kryetarit të Komunës, Fadil Nura, publikimi i emrave të njerëzve me vullnet të mirë, bizneseve dhe klubeve të ndryshme, të cilët po vazhdojnë të kontribuojnë financiarisht në Fondin Emergjent të Vërshimeve. 80,751.62 euro janë dhuruar nga data 6 deri me 21 shkurt, kurse totali i përgjithshëm i fondit ka arrit 383,311.33 euro”, thuhet në njoftim.