Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka reaguar lidhur me ndarjet e subvencioneve dhe zvogëlimit të investimeve.
Sipas Hotit, rritja e subvencioneve është shenjë e varfërisë.
“Mjerë për atë ekonomi ku rriten subvencionet e zvogëlohen investimet. Nuk ka zhvillim ekonomik me subvencione e transfere. Rritja e subvencioneve dhe transfereve është shenjë varfërie”, shkruan Hoti në Facebook.
Ai shton se ky raport do të duhej të ishte i kundërt pasi sipas tij në këtë formë nuk zhvillohet ekonomia, por se rritet varësia e qytetarëve nga skemat sociale.
“Në vitin 2022, krahasuar me vitin 2019: subvencionet dhe transferet janë rritur për 70 për qind dhe investimet kapitale janë zvogëluar për 21 për qind. 41 për qind të buxhetit e kanë shpenzuar në subvencione dhe transfere (më 2019 ka qenë 30 për qind) dhe 16 për qind të buxhet e kanë shpenzuar për investime kapitale (më 2019 ka qenë 25 për qind)”, shton ai.
Në fund, sipas ish-kryeministrit të Kosovës, vetëm investimet e zhvillojnë ekonominë ngase rrisin kapacitetin prodhues.
“Ky raport do të duhej të ishte i kundërt. Kështu nuk zhvillohet ekonomia, por rritet varësia e qytetarëve nga skemat sociale. Asnjë ekonomi nuk është zhvilluar duke e shpenzuar 42 për qind të buxhetit në subvencione, por duke shpenzuar më shumë në investime kapitale publike edhe private. Vetëm investimet e zhvillojnë ekonominë, pasi ato e rrisin kapacitetin prodhues”, përfundon Hoti.