Impianti më i madh diellor në Evropë pritet të ndërtohet në Portugali

Fushë me panele solare

Kompanitë spanjolle Iberdrola dhe Prosolia Energy morën licencën mjedisore për ndërtimin e projektit më të madh fotovoltaik në Evropë në Portugalinë veriperëndimore me një kapacitet të instaluar prej 1200 megavat, shkruan Euronews.

Në një deklaratë, Iberdrola tha se licenca mjedisore e lëshuar nga Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit të Portugalisë do të thotë se mund të ndërtojë atë që besohet të jetë “projekti më i madh fotovoltaik në Evropë dhe i pesti më i madhi në botë”.

Kompania tha se vlerëson se infrastruktura e ardhshme, e cila do të ketë një kapacitet të instaluar prej 1,200 MW, do të funksionojë në vitin 2025 dhe se ndërtimi do të krijojë deri në 2,500 vende pune, “kryesisht për punëtorët vendas”.

Reklama e sponzorizuar

Parku diellor fotovoltaik, i quajtur “Fernando Pessoa”, do të furnizojë “energji të pastër, të lirë, të prodhuar në vend, të mjaftueshme për të plotësuar nevojat vjetore të rreth 430,000 shtëpive, domethënë një popullsi që është pothuajse dyfishi i popullsisë së qytetit të Portos”, thuhej në raport.

Sipas kompanisë, projekti do të shmangë konsumin e 370 milionë metra kub gaz në vit – sasia e nevojshme për të prodhuar të njëjtën sasi energjie në një cikël të kombinuar.