KGJK i kërkon Avokatit të Popullit që Ligjin e Pagave ta dërgojë në Kushtetuese

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), njoftoi këtë të mërkurë se ka dorëzuar kërkesë tek Institucioni i Avokatit të Popullit për inicimin e procedurës për kontrollin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.

Këshilli konsideron se ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën, me Ligjin për Gjykatat, rekomandimet e Këshillit të Evropës mbi pavarësinë e gjyqësorit, Opinionin e Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropian dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese KO 203/19.

“Prandaj, Këshilli kërkoj nga Avokati i Popullit që në kuadër të kompetencave të veta kushtetuese dhe ligjore të ndërmerr veprime të nevojshme për adresimin e kësaj kërkese në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në komunikatën për media.

Reklama e sponzorizuar

Më 1 shkurt, Qeveria e Kosovës ka miratuar koeficientin e Ligjit të Pagave në Sektorin Publik, në vlerë prej 105 eurosh.

Ligji i Pagave rregullon çështjen e pagave për mbi 82 mijë punëtorë të sektorit publik. Megjithatë, ka pasur pakënaqësi te disa sektorë. 18 ankesa janë deponuar tek Avokati i Popullit që Ligji të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Me Ligjin e ri për pagat, niveli i koeficienteve është nga 2 deri në 18. Presidentes së shtetit i është caktuar koeficienti më i lartë, sipas të cilit ajo do të ketë pagën më të madhe.