Kroacia, euro dhe tre arritjet e saj të mëdha më 2022

Për qeverinë kroate, viti 2022 ishte viti i arritjes së objektivave: hyrja në Shengen, përdorimi i monedhës së përbashkët dhe përurimi i urës në Peljesac. Por ndërsa autoritetet kroate festojnë tre objektivat e arritura, popullata është e shqetësuar nga hyrja e monedhës së përbashkët.

Në pikën e karburantit Vrata Jadrana, pranë rrethit Rijeka, u formua me shpejtësi një radhë njerëzish të paduruar në sportelin e barit. Disa njerëz mbajnë në dorë një kartëmonedhë 10 euro, të tjerë 50 kuna, ndërsa arkëtarja mban duart në kokë dhe përsërit “qetësi, qetësi!”, ndoshta duke folur më shumë me veten sesa me klientët.

Më 1 janar 2023, Kroacia prezantoi monedhën e përbashkët Euron, por Kuna do të pranohet për dy javët e para të vitit të ri.

Reklama e sponzorizuar

Sipas direktivave të qeverisë, dyqanet duhet të japin kusur vetëm në Euro, por në praktikë, gjërat janë paksa më të ndërlikuara. Në lokalin Vrata Jadrana, ata që paguajnë me kartë krediti, priten me buzëqeshje.

Viti i synimeve të arritura

“Viti 2022 ishte viti i synimeve të arritura”, deklaroi në fund të vitit të kaluar, kryeministri kroat Andrej Plenkovic, duke festuar hyrjen e Kroacisë në zonën Shengen dhe në Eurozonë.

Për shtetin më të ri anëtar të Bashkimit Europian, i cili ka qenë i pavarur për pak më shumë se tridhjetë vjet, ky është me të vërtetë një sukses i madh.

Dhjetë vite pas hyrjes në BE, Kroacia i bashkohet klubit të kufizuar prej 15 shtetesh, të cilët janë njëkohësisht anëtarë të Bashkimit Europian, NATO-s, zonës Shengen dhe Eurozonës.

Nëse kësaj arritjeje i shtojmë edhe përfundimin e urës në Peljesac (e cila ka ribashkuar territorin kombëtar, duke rilidhur Dubrovnikun me pjesën tjetër të vendit), entuziazmi i Zagrebit është i kuptueshëm.

Por ndërsa autoritetet kroate po festojnë tre arritjet e mëdha, popullata është e shqetësuar nga mbërritja e monedhës së përbashkët, që po ndodh në një kontekst ekonomik të mbizotëruar nga inflacioni i lartë, i cili arriti në 10% në vitin 2022.

“Kam frikë se me ardhjen e Euros, çmimet do të rriten edhe më tepër. Çmimet janë tashmë të larta dhe pagat janë rritur pak…”, thotë Katarina, një zonjë 39-vjeçare, e punësuar në një kompani pastrimi në qytetin Novska, 100 km në jug të Zagrebit.

Pranë stacionit të trenit të Zagrebit, Liljana, pensioniste, ka të njëjtën mungesë entuziazmi për ardhjen e Euros. “Mendoj se nuk do të ketë rritje të mëdha të çmimeve, sepse fuqia blerëse e kroatëve është tashmë shumë e ulët”, thotë ajo.

“Nëse vërtet ka ndryshime të rëndësishme, atëherë shitjet do të bien. Me pak fjalë, tregtarët duhet të përshtaten me fuqinë e re blerëse të kroatëve, e cila do të jetë edhe më e ulët me ardhjen e Euros”.

Përfitimet afatgjata

Sondazhet e kryera nga Banka Qendrore e Kroacisë (HNB), vitet e fundit kanë konfirmuar rregullisht se kroatët kanë rezerva ndaj monedhës së përbashkët, por nuk e kundërshtojnë atë.

Për shembull, në vitin 2020, vetëm 41% e qytetarëve ishin në favor të Euros, ndërsa 39% kishin një mendim “negativ” ose “shumë negativ”. Rreziku kryesor i përmendur nga të intervistuarit ishte rritja e çmimeve, e përmendur në 42.8% të rasteve.

Ata që janë të përfshirë në ekonomi pranojnë se “ekziston rreziku i inflacionit të mëtejshëm afatshkurtër”, deklaroi ekonomistja Vedrana Pribicevic, e cila jep mësim në Shkollën e Ekonomisë dhe Menaxhimit në Zagreb (ZSEM). Megjithatë, në planin afatgjatë, përdorimi i monedhës së përbashkët do të sjellë më shumë përfitime sesa dëm për ekonominë kroate.

“Ata që blejnë një makinë apo një apartament, tashmë mendojnë në Euro dhe ekonomia kroate ndjek me besnikëri ciklet ekonomike të Eurozonës”, shpjegon Vedrana Pribicevic.

Kur Eurozona rritet, rritet edhe ekonomia kroate; kur është në recesion, Zagrebi e ndjek. Për më tepër, Kuna dhe Euro ishin të lidhur për një kohë të gjatë dhe kursi i këmbimit ishte praktikisht i fiksuar në vitet e fundit.

“Duke filluar nga 1 janari 2023, në Kroaci do të zhduken të gjitha kostot e konvertimit ndërmjet Euros dhe Kunës. Bëhet fjalë për rreth 0,5% të PBB-së kroate që deri në fund të vitit 2022, bankat e fitonin me konvertime”, thotë Pribicevic.

Një tjetër efekt pozitiv është se fondet kroate të pensioneve do të jenë në gjendje të investojnë në të gjitha mjetet financiare të Eurozonës pa rrezik valutor.

Së fundmi, ekonomisti pret edhe një rritje të pagave, sepse me Euron, kroatët do të mund t’i krahasojnë më lehtë pagat e tyre me ato të vendeve të tjera të Eurozonës (krahasimet tashmë kanë filluar).

Qëllime të reja

Pas “vitit të objektivave të arritura”, tani ka ardhur koha që qeveria kroate të vendosë rezoluta të reja. Dhe nuk do të jetë e vështirë të gjesh prioritete të reja. Rënia demografike është një çështje alarmuese prej vitesh.

Në vitet e fundit, ndërsa procesi i integrimit europian të Kroacisë po përparonte me shpejtësi, popullsia e vendit po zvogëlohej po aq shpejt. Regjistrimi i fundit i kryer në vitin 2021, zbuloi një rezultat dramatik: republika e re nuk ka më 4.2 milionë banorë si në vitin 2011, por vetëm 3.8 milionë.

Sipas demografit Stjepan Sterc, përmirësimi i situatës demografike të vendit duhet të jetë objektivi i ri strategjik i qeverisë kroate.

“Në hapësirën e dy regjistrimeve të popullsisë, Kroacia ka humbur rreth 400,000 qytetarë, ose pothuajse 10% të popullsisë.

Një pjesë humbet për shkak të emigrimit, një pjesë tjetër nga numri i madh i vdekjeve, që tejkalon numrin e lindjeve”, shpjegon Stjepan Sterc, i cili shton se “nëse bëjmë një parashikim për dhjetë vjet, po të lihet të vazhdojë kjo prirje, të gjitha shërbimet themelore të shtetit do të rrezikohen.

Shkurt, çështja demografike duhet të bëhet qendrore”. Sipas studiuesit demografik, pas 8 vjetësh, sistemi kroat i pensioneve do të bëhet i paqëndrueshëm financiarisht.

Deri tani, masat e ndërmarra nga qeveria kroate, nuk kanë pasur ndonjë sukses të madh. Nisma e fundit është programi “Unë zgjedh Kroacinë”, i cili ofron bonuse deri në gati 30,000 euro për kroatët që vendosin të kthehen në atdheun e tyre.

Por gati një vit pas nisjes së programit, vetëm 78 persona e kanë pranuar ofertën e qeverisë. Me këtë ritëm, në fund të shekullit, Kroacia do të ketë pak më shumë se 2 milionë banorë. “Situata është aq e rëndë sa që nuk mund të rrimë duarkryq pa bërë asgjë”, thotë Stjepan Sterc.

Shkurt, nëse tendenca demografike nuk ndryshon shpejt në Kroaci, arritjet e qeverisë së Plenkovic nuk do të kenë shumë vlerë.

/Giovanni Vale, Zagreb/