Italia synon të përdorë fondet që vijnë nga Bashkimi Evropian sipas të ashtuquajturit plani REPowerEU për të zhdukur varësinë nga gazi rus dhe për ta kthyer vendin në qendër energjetike për bllokun. Deklarata u bë nga kryeministrja e vendit Giorgia Meloni.
Kjo e fundit pas një takimi me ministrat përkatës dhe drejtuesit e grupeve energjetike Eni, Enel, Snam dhe Terna, përmendi nevojën për të bashkëpunuar me Afrikën për furnizimin me energji.
Me fonde totale rreth 300 miliardë euro, plani REPowerEU synon t’i japë fund varësisë së BE-së nga karburantet fosile ruse. Por një objektiv po aq i rëndësishëm mbetet dhe trajtimi i krizës klimatike. Plani përfshin rreth 225 miliardë euro kredi të pashfrytëzuara të vëna në dispozicion sipas planit të rimëkëmbjes së pandemisë NextGenerationEU të nisur në 2021 – shin.
Komisioni Evropian propozoi gjithashtu financimin e tij nëpërmjet 20 miliardë eurove shtesë në grante nga shitja e lejeve të Sistemit të Tregtimit të Emisioneve të BE-së – ETS. I aktivizuar në vitin 2005, sistemi ETS detyron prodhuesit, kompanitë e energjisë dhe linjat ajrore të blejnë leje për të mbuluar çdo ton dioksid karboni që emetojnë.
Shefi ekzekutiv i operatorit italian të rrjetit të gazit Snam u shpreh për agjencinë e lajmeve Reuters se grupi do të kërkonte mbështetjen e BE-së për të investuar 2.5 miliardë euro për të rritur kapacitetin e rrjetit vendas.
Paratë që vijnë nga RePowerEU mund të përdoren gjithashtu për ndërtimin e të ashtuquajturit Korridor SoutH2, një lidhje për të sjellë hidrogjenin që do të prodhohej në Afrikën veriore në Evropën veriore.
Qeveria e krahut të djathtë në Itali planifikon të përfundojë bisedimet me Brukselin mbi përdorimin e propozuar nga Roma të fondeve të BE-së deri në fund të prillit. /SCAN tv/