Korporata Energjetike e Kosovës ka nënshkruar kontratë për riparimin emergjent të kalldajës së bllokut A5 të termocentralit “Kosova A”, njofton Kallxo.com.
Kontrata në vlerë 3 milionë e 495 euro është nënshkruar me Grupin e Operatorëve “Litwin SA & Bujar B. Shala B.I.”.
Sipas njoftimit, kohëzgjatja e kontratës është nga 25 janari deri më 31 mars 2023. Derisa në një njoftim të mëhershëm KEK-u kishte njoftuar se blloku A5 i TC “Kosova A” pritet të kthehet në funksion në fillim të muajit prill.
Tenderi është nënshkruar përmes procedurës së negocuar me çmimin më të ulët si kriter për dhënien e kontratës. Kontrata është nënshkruar 9 ditë që nga shpallja e tenderit.
Në dhjetor të vitit të kaluar KEK kishte lidhur kontratë për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”dhe pritet të kthehet në operim në fillim të muajit prill të 2023 sipas parashikimeve.
Përpjekja për remontin e Njësisë A5 kishte filluar që nga gushti i 2022. Tenderi me procedurë të hapur për remont kapital të njësisë A5, i shpallur në fund të muajit gusht kishte dështuar pasi nuk kishte pasur ofertues andaj tenderi i dytë ishte hapur me procedurë të negociuar.
Për remontin e njësisë A5, KEK-u ka zhvilluar procedurën e negociuar me disa operatorë. Blloku A5 i termocentralit “Kosova A” ka kapacitet prej 210 megavatë për orë.
KEK gjatë vitit 2022 ka hapur dy tenderë për remontin kapital të këtij blloku i cili është jashtë funksionit por që vetëm më hapjen e tenderit me procedurë të negociuar ka arritur të nënshkruajë kontratë.