“Paga minimale në sektorin privat të bëhet 450 euro”

Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës, në një konferencë për medie, ka shprehur pakënaqësi për trajtimin e sektorit privat nga ana e Qeverisë së Kosovë.

Jusuf Azemi, kryetar i kësaj sindikate, ka kritikuar Qeverinë Kurti se po “sillet sikur inflacioni po i prek vetëm punëtorët e sektorit publik”.

Ai ka kërkuar që të ndihmohet edhe sektori privat, sepse, siç tha ai, buxheti i Kosovës u takon të gjithëve, e jo vetëm sektorit publik.

Reklama e sponzorizuar

“Në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, punëtorët që mirëmbajnë këtë zyre, paguhen 180 euro. Kjo është shumë shqetësuese për ne”.

“Këto paga të ulëta vijnë nga Qeveria e Kosovës. Në vend që Qeveria ta motivojë sektorin privat për paga më të larta, është ajo që i paguan kaq pak punëtorët teknikë”.

“Qeveria po sillet sikur inflacioni po i prek vetëm punëtorët e sektorit publik, e jo ata të sektorit privat. Buxheti i Kosovës është buxhet i të gjithëve. Klasa më e pasur, ajo e sektorit publik u financua, e pikërisht ajo që është më e varfër jo”, u shpreh Azemi.

Tutje, Azemi tha se kërkesa e Sindikatës është rritja e pagës minimale në 450 euro.

“Kërkesa jonë është që paga minimale të jetë 450 euro. E kemi një pagë minimale që ne mendojmë qe duhet të zyrtarizohet nga Qeveria. Kanë premtuar por nuk e kanë realizuar”.

Ai ka kërkuar që punonjësit e sektorit privat, të cilët kryejnë shërbime të kontraktuar nga institucionet shtetërore, të paguhen me pagë rreth 400 euro në muaj.

“Ne kemi disa mijëra punëtorë të cilët kryejnë shërbime për institucionet e Kosovës. Kemi mirëmbajtjen e objekteve të gjitha ministrive, gjitha ambulantave, gjitha fakulteteve. Kërkesa jonë është që të gjithë këta punëtorë të paguhen konform Ligjit të Pagave, e që nënkupton se këta punëtorë që nga muaji mars duhet të paguhen diku rreth 400 euro”, ka thënë ai.

Ai përmendi edhe rastet e shumta të ikjes së punëtorëve nga Kosova.

“92 mijë punëtorë kanë ikur nga Kosova me leje pune. Gjatë këtij viti shumë projekte do të ndërprehen në mungesë të punëtorëve”.