Pagat për muajin shkurt do të dalin me koeficientin e ri

Të enjten Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të dytë Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2023, ku përfshihet edhe koeficienti prej 105 euro.

Me këtë mundësohet që në mars pagat e muajit shkurt të dalin bazuar në koeficientin e ri.

Ligji u miratua me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Pas kalimit të amendamenteve të këtij Ligji, në momentin kur po votohej deputetët e LDK-së lëshuan seancën, ndërkaq deputetët e PDK-së nuk morën fare pjesë në votim.

Reklama e sponzorizuar

Vlera e koeficientit për vitin 2023 do të jetë 105 euro, ndërsa për vitin 2024 pritet të jetë 110 euro. Koeficienti më i lartë, 18, i takon vetëm presidentit të Kosovës, derisa më i ulëti është 2 dhe ai iu takon pozitave për rekrut/kadet të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, doganor dhe korrektues.

Ditë më parë nga Avokati i Popullit bën të ditur për Telegrafin se janë pranuar 18 ankesa kundër Ligjit për pagat në sektorin publik.

“Deri më tani, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka pranuar 18 (tetëmbëdhjetë) ankesa kundër Ligjit për Paga në sektorin publik”, thuhet në përgjigjen e Avokatit të Popullit për Telegrafin.

Ky institucion shton se ankesat kanë ardhur nga sektorë të ndryshëm.

“Ankesat kanë ardhur nga sektorë të ndryshëm, si nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, auditorë të brendshëm, zyrtarët komunal të arsimit të Komunës së Prizrenit, Shoqata Sindikale e Shërbimit Sprovues të Kosovës, nga organizata Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD), infermierët, mjekët që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, laborantë të lartë mjekësor, Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës, Sindikata e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror Zgjedhor, Qendra për pajisje të dokumenteve, Shoqata e Instrumentarëve të Kosovës”, tregon ky institucion.

Avokati thekson se janë duke e analizuar këtë ligj se do të dalin me një qëndrim për këtë çështje.

“Institucioni i Avokatit të Popullit është duke i trajtuar këto ankesa, dhe po ashtu është duke analizuar ligjin në fjalë, dhe pas kësaj, Avokati i Popullit do të del me një qëndrim në lidhje me këtë çështje”, përfundon përgjigja e kësaj zyre për Telegrafin.

Ndërsa, nga Gjykata Kushtetuese të mërkurën thanë për Telegrafin se nuk kanë pranuar asnjë kërkesë nga Avokati i Popullit.

“Deri më sot, në Gjykatën Kushtetuese nuk është parashtruar asnjë kërkesë nga Avokati i Popullit përkitazi me këtë çështje”, thotë Kushtetuesja në një përgjigje për Telegrafin.

Më 22 dhjetor 2022, Ligji për Paga ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, i cili parasheh ndryshim të pagave për punëtorët e sektorit publik, ndërsa më 4 janar ishte dekretuar nga Presidenca.

Kujtojmë se, opozita ka kërkuar që koeficienti i pagave të mos jetë më i vogël se 120 euro.