Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se lufta kundër krimit të organizuar në komunat në veri të vendit, ka ndalur rritjen e konsumimit të energjisë elektrike.
Sipas saj, viteve të fundit në veri ka pasur rritje jonormale të shpenzimit të energjisë. Ndaj, ka thënë se kjo është ndalur me operacionet kundër kultivimit të drogës dhe mihjes së kriptovalutave.
Këto deklarime Rizvanolli i ka bërë në një shkrim në Twitter, ku ka shpërndarë postimin e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, për shkatërrimin e tre laboratorëve të drogës në veri.
Ministrja tutje ka thënë se “lufta ndaj krimit të organizuar shpaguhet në shumë mënyra”.
“Për shkak të operacioneve kundër kultivimit të drogës dhe mihjes së kriptovalutave, rritja jonormale e konsumit të energjisë që është parë viteve të fundit në katër komunat në veri të Kosovës, është ndalur”, ka shkruar Rizvanolli.
Për këtë ajo ka publikuar një grafikon në të cilin në vitin 2022 ka 3 për qind rënie të konsumit të energjisë elektrike në këto komuna. /Telegrafi/