Sa e dëmton ekonominë e një vendi paga minimale?

Çmimi Nobel i vitit 2021 për Shkenca Ekonomike shkoi për David Card, Joshua Angrist dhe Guido Imbens. David Card mori çmimin për punimin e tij (me bashkautor Alan Krueger) “Pagat minimale dhe punësimi: Një rast studimor i industrisë së ushqimit të shpejtë në Nju Xhersi dhe Pensilvani”. Kjo punë kërkimore u përdor nga disa si provë shkencore se paga minimale nuk krijon papunësi dhe ajo duhet të rritet.

Megjithatë, kjo është e pavërtetë, dhe as Card, as Krueger nuk arrijnë në këtë përfundim.

Pse paga minimale krijon papunësi?

Reklama e sponzorizuar

Sipas mendimit ekonomik austriak, metoda shkencore (izolimi i disa variablave dhe ndryshimi i disa të tjerave për të verifikuar marrëdhëniet e mundshme midis tyre) nuk mund të zbatohet për ekonominë, e cila nuk është një shkencë natyrore.

Në vend të kësaj, mendimi ekonomik austriak mbështetet te prakseologjia, studimi i veprimeve të njeriut, të cilat janë komplekse dhe jo shumë të parashikueshme, sepse në këtë kontekst nuk mund të përdoren variablat e kontrollit. Është e mundur që të kryhen vetëm “parashikime të modeleve”, siç shpjegon F.A. Hayek dhe përmend Jesús Huerta de Soto: “Këto parashikime janë të natyrës ekskluzivisht cilësore dhe teorike. Ato i referohen parashikimit të mospërputhjeve dhe efekteve të mungesës së koordinimit social, të cilat vijnë nga ndërhyrjet institucionale (socializmi dhe intervencionimi) që bëhen në treg.”

Këto janë disa shembuj:

  1. Rritja e ofertës monetare tenton të shkaktojë rritje të çmimeve, por nuk është e mundur që të dihet saktësisht se cili do të jetë niveli i inflacionit të çmimeve. Qeveria llogarit disa indekse të inflacionit të çmimeve, por për shumë arsye, ato nuk përfaqësojnë çmimet aktuale.
  2. Taksat dëmtojnë ekonominë, pasi qeveria harxhon burime në sipërmarrje të panevojshme dhe të paqëndrueshme, duke qenë se ajo nuk operon nën mekanizmin fitim/humbje.
  3. Normat artificialisht të ulëta të interesit sjellin investime të këqija që formojnë ciklet e biznesit. Kjo parandalon shpërndarjen efikase të burimeve, pasi normat e interesit nuk përfaqësojnë preferencat në kohë reale.

Paga minimale është një pengesë që njerëzit me pak ose aspak përvojë apo aftësi pune të bëhen pjesë e tregut. Nëse paga minimale është më e madhe se vlera që krijon një person, atëherë nuk do të ketë asnjë incentivë që kompania ta punësojë atë.

Kështu, njësoj si ndërhyrjet e tjera të qeverisë në transaksionet vullnetare midis një punonjësi dhe një punëdhënësi, paga minimale dëmton palën më të dobët të transaksionit. Punonjësi merr një pagë më të ulët (pasi kompania duhet të përballojë këto kosto) dhe konsumatorët në fund paguajnë çmime më të larta. Kostoja e çdo ligji të imponuar ose e një transaksioni vullnetar paguhet gjithmonë nga pala më e dobët që merr pjesë në transaksion.

Sa më i lirë të jetë tregu, aq më i madh është niveli i konkurrencës dhe i konkurrueshmërisë. Kompanitë duhet të investojnë te produktiviti për të ulur çmimet e tyre. Sa më i lirë të jetë tregu, aq më të mira janë kushtet e punës që kompanitë duhet të ofrojnë. Në fund të fundit, nëse ka një shkallë të lartë konkurrence në treg, është e lehtë për një kompani tjetër që të tërheqë profesionistë duke ofruar kushte pune që janë të paktën disi më të mira.

Të gjitha kostot dhe rregullat e punës e bëjnë më të shtrenjtë punësimin. Kështu, sa më e lartë të jetë paga (përgjithësisht për punët që kërkojnë një trajnim specifik), aq më e lartë është kostoja e punonjësit dhe aq më e ulët është mundësia që njerëzit me më pak përvojë të mund të fillojnë karrierën e tyre. Për të kompensuar këtë kosto, kompanitë do të punësojnë vetëm njerëzit më të aftë dhe me më shumë përvojë.

Mund të argumentohet se paga minimale në Gjermani është 10.50 euro në orë, e megjithatë Gjermania ka një shkallë papunësie më të ulët se Portugalia, e cila e ka pagën minimale 4.75 euro në orë. Megjithatë, paga minimale nuk është ndërhyrja e vetme e qeverisë në transaksionet vullnetare. Sipas Fondacionit Heritage, Portugalia është një vend që ka më pak liri ekonomike sesa Gjermania. Portugalia ka gjithashtu një raport më të lartë të borxhit publik ndaj produktit të brendshëm bruto.

Gjermania nuk ka një nivel të lirisë ekonomike që është shumë më i lartë se ai i Portugalisë, por Gjermania është mjaftueshëm e lirë që gjermanët të mund të jenë më produktivë se portugezët. Kështu, një pagë minimale prej 10.50 euro në orë në Gjermani nuk bën më shumë dëm sesa paga minimale prej 4.75 euro në orë në Portugali, e cila ka një ekonomi më të dobët.

Rasti studimor i Card dhe Krueger

Studimi i Card dhe Krueger analizon efektin e pagës minimale në industrinë e ushqimit të shpejtë në Filadelfia (një qytet që ndahet mes Pensilvanisë dhe Nju Xhersit). Në prill të vitit 1992, paga minimale në Nju Xhersi u rrit nga 4,25 dollarë në orë, në 5,05 dollarë në orë. Paga minimale e Pensilvanisë nuk ndryshoi në atë periudhë.

Prandaj, Card dhe Krueger zgjodhën të bëjnë një “eksperiment natyror” (term i përmendur në studimet e Joshua Angrist dhe Guido Imbens), një situatë që ndodh spontanisht, por që mundëson kryerjen e një eksperimenti. Dy shembuj të eksperimenteve natyrore janë ndarja e Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore gjatë Luftës së Ftohtë, si dhe ndarja e Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut. Vini re se eksperimentet natyrore, ndryshe nga eksperimentet në shkencat natyrore, nuk mund të kontrollohen. Ato gjithashtu nuk janë as spontane dhe as të natyrshme, pasi nuk kanë ndodhur si pasojë e zgjedhjeve të individëve. Por gjithsesi, është e mundur që të vërehen disa ndryshime midis çdo variable.

Studimi i Card dhe Krueger ekzaminoi anën e Filadelfias me një rritje të pagës minimale (Nju Xhersi) dhe anën me një pagë minimale të pandryshuar (Pensilvania). Normalisht, duhet të kishte pasur një rritje të papunësisë në anën e Nju Xhersit. Megjithatë, studimi tregon se, në fakt, pati një rritje të vogël të punësimit. Pse ndodhi kjo?

Në përfundimin e studimit të tyre, Card dhe Krueger shprehin se asnjë prej modeleve ekzistuese nuk arrin të shpjegojë atë që ndodhi: “Të marra në tërësi, këto gjetje janë të vështira për t’u shpjeguar me modelin standard të konkurrencës ose me modelet ku punëdhënësit përballen me kufizime në ofertë (p.sh., modelet e monopsonisë ose të gjetjes së ekuilibrit).”

Card dhe Krueger theksojnë gjithashtu se çmimet e ushqimit të shpejtë “u rritën në Nju Xhersi krahasuar me Pensilvaninë, duke treguar kështu se pjesa më e madhe e barrës nga rritja e pagës minimale u kalua te konsumatorët”. Ata përmendin më vonë se nuk u gjet asnjë provë për të vërtetuar se “rritja e pagës minimale në Nju Xhersi reduktoi punësimin në restorantet e ushqimit të shpejtë në këtë shtet”.

Studimi tregon gjithashtu se pagat u rritën në një vlerë mesatare brenda intervalit të pagave të Nju Xhersit. Ndaj, disa biznese ishin duke paguar shifra më të larta se paga e re minimale dhe rritja nuk bëri ndonjë ndryshim të madh. Por, kjo ndodhi veçanërisht në industrinë e ushqimit të shpejtë. Nuk ka asnjë provë që kjo gjë nuk solli papunësi në sektorë të tjerë ose papunësi afatgjatë (duke përfshirë edhe industrinë e ushqimit të shpejtë, duke qenë se studimi ishte i kufizuar te një qytet i vetëm duke përdorur të dhënat e dy viteve pas rritjes së pagës minimale).

Pasojat e rritjes së pagës minimale në Nju Xhersi

Në ekonomi i kushtohet vëmendje asaj që shihet, por edhe asaj që nuk shihet. Imagjinoni sikur qeveria vendos të ndërtojë një urë dhe, për ta bërë këtë, ajo vendos të rrisë taksat. Ne mund të shohim se shumë njerëz punësohen për të ndërtuar urën dhe akoma më shumë njerëz fillojnë ta përdorin atë pas përfundimit të saj. Megjithatë, ne nuk arrijmë të shohim njerëzit që mbetën të papunë, ata që nuk morën rritje të pagave, ose njerëzit që ishin të papunë dhe nuk mund të gjenin punë për shkak të rritjes së taksave (e cila devijoi me forcë burimet që do të ishin përdorur vullnetarisht në sipërmarrje të tjera).

Në rastin e rritjes së pagës minimale në Nju Xhersi, ne shohim se nuk pati rritje të papunësisë në industrinë e ushqimit të shpejtë, por ka dy gjëra që nuk i shohim:

  1. Konsumi që individët duhet të reduktonin për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimit të shpejtë;
  2. Të ardhurat e reduktuara në industritë e tjera (duke qenë se konsumatorët duhej të paguanin më shumë për ushqimin e shpejtë), të cilat investuan më pak për të rritur produktivitetin (sepse e kishin më të vështirë që të ruanin të njëjtin nivel të çmimeve ose që t’i ulnin ato) dhe punësuan më pak njerëz, apo madje edhe reduktuan stafin e tyre.

Sigurisht, këto janë disa ekstrapolime ekstreme. Por, duke qenë se konsumatorët dispononin më pak të ardhura, këto pasoja kanë ndodhur të paktën deri në njëfarë mase.

Konkluzioni

Paga minimale sjell papunësi dhe mungesë të mundësive për njerëzit me pak ose aspak përvojë apo aftësi pune. Vetëm nëse paga minimale do të caktohej në një nivel më të vogël se produktiviteti i të gjithë individëve, ajo nuk do të shkaktonte papunësi. Por, kjo nuk ka gjasa të ndodhë, pasi paga minimale do të duhej të ishte aq e vogël sa do të bëhej e parëndësishme për qeverinë për t’u përdorur si një mjet për të fituar vota. Burimi: Mises Institute