Kriza në tregjet financiare globale në dy vitet e fundit ka ndikuar jashtëzakonisht shumë edhe në investimet e jashtme të Fondit tw Kursimeve Pensionale të Kosovës. Si rrjedhojë e kësaj, Trusti e ka mbyllur vitin 2022 me një humbje prej 118.9 milionë euro nga paratë e pensioneve.
Kështu thuhet në raportin më të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ku shpalosen informatat mujore të sistemit financiar në vend, për muajin dhjetor 2022.
Ekspertë të çështjeve ekonomike vlerësojnë se derisa çrregullimet në tregjet ndërkombëtare të vazhdojnë, paratë e kontribut-paguesve do të shënojnë vazhdimisht humbje.
Gjatë kësaj periudhe, kontributet e reja në Trust arritën në 241.5 milionë euro, derisa vlera e çmimit të aksionit ishte 1.63 euro, përcjell Buletini Ekonomik.
Ndërkohë, vlera e përgjithshme e aseteve të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës ka arritur në 2 miliardë e 412 milionë euro. /Buletini Ekonomik/