Në Trustin pensional të Kosovës mohojnë se ka pasur humbje të investimeve të qytetarëve të Kosovës. Por, kjo hedhet poshtë nga ekonomistët, të cilët thonë se shkaku i krizës ndërkombëtare ka rënë vlera e këtyre kursimeve
Qytetarët e Republikës së Kosovës, duket se kanë pësuar humbje të mëdha të kursimeve të tyre pensionale gjatë vitit 2022.
Goditja e tregut ndërkombëtarë financiar që ndodhi gjatë vitit të kaluar, ka prekur edhe këto investime.
Humbjet që Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës pati gjë atyre muajve, sipas profesorit të ekonomisë, Muhamet Sadiku, janë të ngjashme sikurse kërkesat e qytetarëve për tërheqje të kursimeve të tyre.
Muhamet Sadiku, profesor i Ekonomisë ka thënë se “Këto janë humbje tejet të mëdha. Humbjet për vitin e kaluar janë të barabarta më kërkesat që kishin qytetarët për tërheqjen e mjeteve për vitin 2022. Në e dimë që Qeveria e Kosovës nuk ka muskuj që më politika ekonomike ta adresoj problemin, por u dashtë më ba përpjekje brenda politikave financiare, që të korrigjohen këto dhe të kemi një situatë më të butë”.
Njëjtë sikur Sadiku, po mendon edhe eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriu.
“Momentin që i ki mjetet e shitura në tregjet ndërkombëtare dhe në momentin që bije bursa në tregjet ndërkombëtare është e natyrshme të kemi rrënjë. Por, ajo kërkesë e taksapaguesve që ka qenë tashmë po shihet se ka qenë e nevojshme që t’iu jepet ajo pjesë e kursimeve të qytetarëve. Do të ishte mbrojt kjo përqindje dhe do të kishte qarkulluar edhe qytetari edhe financat në Kosovë”.
Mundësinë e humbjeve të kursimeve pensionale po e hedhin poshtë në Trustin Pensional.
“Ne kemi pasur kthim negativ nga investimet për vitin 2022 në Portofolin Standard (prej -5.5%) dhe kthim pozitiv në Portofolin Konservativ (+3.0). Kjo rënie e vlerës në Portofolin Standard (të kontribuuesve deri 63 vjeç) prek kthimin potencial nga investimet dhe nuk mundet assesi të flitet për humbje të kontributeve pensionale të vitit 2022. Për më tepër, gjatë muajit janar 2023 kemi ngritje për gati 2% të kthimi nga investimet në Portofolin Standard, andaj tashmë 35% e asaj rënie (e vitit 2022) është rikuperuar”, deklaroi Jeton Demi, menaxher i Marrëdhënieve me Publikun.
“Gjithashtu, nëse dikush jep deklarime për një vit të caktuar (kur në 21 vjet operim në 18 vjet kalendarike kemi kthim pozitiv e vetëm në tri vjet kemi kthim negative) është kërkesë minimale e raportimit të drejtë publik që të tregohet (së paku) performanca e investimeve që kishte Trusti në vitin 2021; kur kthimi bruto nga investimet ishte plot +227 milionë euro ose rreth 11% rritje. Pra, a do të duhej të thuhej që kontribuuesve iu janë shtuar kontributet e vitit 2021 me 150%?! Gjithsesi jo. Ajo ndërlidhet me rritjen e fitimit potencial e jo me kontributet”.
Sipas zyrtarëve të Trustit, performanca investuese e fondeve pensionale matet në aspektin afatgjatë dhe jo në periudha një vjeçare./RTV Dukagjini/