Me kaq shumë larmi në një hapësirë kaq të vogël, Europa është kontinenti ideal për të punuar dhe studiuar.
Nuk ekziston gjithmonë mundësia të punosh gjatë studimeve jashtë vendit, por në Europë, është e mundur nëse kërkohet në vendet e duhura. Nga 44 vendet e Europës, çdo rajon ka veçantitë e tij që tërheqin njerëz të ndryshëm për arsye të ndryshme.
Europa Perëndimore ka elementë kryesorë europianë, si Franca dhe Gjermania, ndërsa Europa Lindore ofron një pjesë joshëse të vendeve sllave si Polonia, Rumania dhe Bjellorusia.
Në veri, do të gjeni vendet nordike dhe britanikët, së bashku me Islandën, tokën e zjarrit dhe akullit! Atmosfera mesdhetare e Europës Jugore është përrallore.
Nëse jeni duke kërkuar për një vend për të studiuar dhe punuar, Europa është vendi ku duhet të shkoni.
Por, cili është vendi më i mirë për të studiuar dhe punuar në Europë? Kjo pyetje nuk ka një përgjigje të saktë.
1. Spanjë
Spanja është e njohur për kulturën e saj tërheqëse dhe njerëzit, si dhe është një vend i mrekullueshëm për të studiuar dhe punuar jashtë vendit.
Plazhet me diell, trashëgimia e pasur kulturore dhe historike dhe ushqimi i shijshëm, janë mjaft tërheqës, por si është të studiosh dhe të punosh atje?
Spanja është një destinacion popullor për studentët ndërkombëtarë, kështu që procesi i marrjes së vizës dhe aplikimit në universitete është mjaft i thjeshtë.
Sidoqoftë, është e rëndësishme të theksohet se studentët nga vendet jashtë BE, ka të ngjarë të paguajnë pak më shumë.
Procesi aktual për të punuar në Spanjë gjatë studimeve është mjaft fleksibël, kështu që nuk keni nevojë të shqetësoheni.
Ju duhet të kërkoni leje për të punuar deri në 20 orë në javë nga autoritetet lokale. Sidoqoftë, duhet të keni një vizë studentore për ta bërë këtë.
2. Suedi
Suedia mund të jetë pak më e ftohtë se Spanja, por njerëzit janë të ngrohtë dhe mikpritës, ashtu si kafetë dhe pulovrat e tyre. Me peizazhet e mbuluara me borë, fjordet magjepsëse, aureolat boreale, Suedia është një vend i mrekullueshëm për të jetuar.
Është edhe një zgjedhje e lehtë për të punuar dhe për të studiuar, pasi gjithçka që ju nevojitet është viza për studentë.
Shumë universitete zhvillojnë kurse në anglisht, ndaj nuk duhet të shqetësoheni për të përmirësuar suedishten tuaj para se të mbërrini. Arsimi është i rëndësishëm për suedezet, për këtë arsye, ata e kanë bërë atë falas për qytetarët e tyre.
3. Gjermani
Ushqim dhe birrë me bollëk, liqenet e shumta dhe një mënyrë jetese aktive, janë elementët kryesorë të jetesës gjermane. Nëse kjo ju tërheq, kërkoni të punoni dhe të studioni në Gjermani.
Por, ka disa rregulla. Së pari, duhet të merrni leje nga Agjencia Federale e Punësimit dhe zyra e të huajve. Më pas, sasia e orëve të punës është më e rreptë për qytetarët jashtë BE-së.
Nëse vini nga SHBA, Australia ose ndonjë shtet jo anëtar i BE-së, puna gjatë studimeve në Gjermani është më e ndërlikuar.
Ju lejohet të punoni vetëm 240 orë gjysmë dite, ose 120 ditë të plota në vit, qoftë me afat apo gjatë pushimeve. Megjithatë, ka përjashtime në varësi të punës që zgjidhni.
Nëse jeni duke punuar si asistent studentësh, rregulli 120-ditor mund të “hidhet nga dritarja”! Praktikisht, nuk ka kufizime për punët në një universitet.
4. Zvicër
Vendi kompakt është i mbushur me male ngjyrë smerald të mbuluara me borë, mundësi për të eksploruar natyrën, fshatra si shtëpi kukullash dhe liqene të paprekura.
Nëse skijimi në shpatet e famshme dhe të jetuarit në një vend praktikisht pa krime, ju tërheqin, Zvicra mund të jetë përgjigjja ideale për pyetjen tuaj rreth punës dhe studimit jashtë vendit në Europë.
Shumë njerëz flasin anglisht, kështu që nuk do të hasni shumë pengesa në kërkimin e punës.
Zvicra ka kuota për punëtorët e huaj, por nëse jeni atje me një vizë studentore, nuk keni nevojë të aplikoni për një vizë të veçantë pune.
Por, mund ta përdorni vetëm pasi të keni jetuar në vend për gjashtë muaj dhe të punoni vetëm 15 orë në javë ndërsa jeni atje.
Mund të mos jetë një mundësi shumë fitimprurëse, por për sa i përket përvojës dhe kulturës, patjetër që ia vlen të merret në konsideratë.
5. Francë
Oui, ju me të vërtetë mund të punoni dhe studioni në Francë. Madje mund të jeni në gjendje të studioni falas!
Franca nuk është në këtë listë vetëm sepse është e mbushur me art, histori dhe ëmbëlsira të shijshme, por është gjithashtu një vend i mrekullueshëm për të huajt që duan të studiojnë dhe punojnë atje.
Si shumë vende në këtë listë, ju mund të punoni vetëm me kohë të pjesshme. Ekzistojnë lloje të ndryshme të vizave të punës në Francë.
Mund të keni nevojë të paraqisni prova për situatën tuaj financiare. Megjithatë, rregulli bazë është që me vizën tuaj studentore, mund të bëni punë me pagesë deri në 964 orë në vit në Francë.
Nëse jeni duke punuar për universitetin ku studioni, kontratat mund të ndryshojnë pak, prandaj mos hezitoni t’u drejtoheni njerëzve në departamentet tek të cilat shpresoni të punoni. /Goabroad/