Vlera e koeficientit 105 euro, Kurti: Rritja më e madhe e pagave në Kosovën e pavarur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vlera 105 euro e koeficientit e publikuar këtë të mërkurë nga Qeveria, është rritja më e madhe e pagave në vend.

Në një deklarim për media, Kurti është shprehur se nga viti në vit totali i pagave është rritur 20-25 milionë euro, ndërkaq sivjet pati një rritje në 105 milionë euro.

“Nga viti në vit 20 deri në 25 milionë euro është rritur totali i pagave në sektorin publik, ndërsa kësaj here i kemi rritur në 105 milionë euro është rritja më e madhe ndonjëherë në Kosovën e pavarur. Kur pjesëtohet me numrin e zyrtarëve publikë kemi arritur te ky numër i koeficientit”, ka deklaruar kreu i ekzekutivit.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, me këtë ligj janë zvogëluar pabarazitë e brendshme dhe është rritur transparenca.

Ai në fund ka bërë të ditur se vitin e ardhshëm vlera e koeficientit do të jetë 110 euro.

“Në buxhetin që kemi e që është më i madhi në Kosovën e pasluftës, e kemi një portofol për sektorin publik i cili është substancial. Natyrisht që njerëzit dëshirojnë edhe më shumë, por kjo rritje jo vetëm që ka tejkaluar inflacionin, por shënon kthimin te transparenca dhe llogaridhënia”, ka përfunduar Kurti.