Siç dihet, qysh në vitin 2009 kanë filluar punimet për ndërtimin e rrugës që lidh Prishtinën, Vushtrrinë dhe Mitrovicën. Mirëpo, edhe tash pas rreth 14 vjetëve, punimet rreth zgjerimit të kësaj magjistraleje, jo vetëm që nuk janë finalizuar, por edhe më tutje zyrtarët e pushtetit qëndror, autoritetet kryesore të Ministrisë së Infrastrukturës vazhdojnë të përcaktojnë afate të reja përfundimtare për ndërtimin e kësaj rruge. Sipas afateve të reja të përcaktuara së fundi, siç ka njoftuar këto ditë ministri i Infrastukturës, Liburn Aliu, përfundimi i rrugës Prishtinë-Mitrovicë do të zgjasë 25 muaj, pra dy e më shumë vjet. E diskutueshme mbetet edhe cilësia e punëve të deritashme në këtë magjistrale.
Mehmet GJATA
Disa banorë të Vushtrrisë dhe të rajonit të Mitrovicës, pronarë të automjeteve të këtyre rajoneve, sikur kanë gjetur këto ditë për të përshkuar më lehtë dhe pa ndonjë pritje e radhë të stërgjatur rrugën nacionale Prishtinë- Mitrovicë dhe anasjelltazi. Ata qarkullimin nëpër këtë magjistrale kanë zënë ta bëjnë në kohën e iftarit, kur pakësohet ndjeshëm numri i automjeteve, që gjatë ditës nuk mund t’i përballojë magjistrala, në të cilën tash e 14 vjet janë duke u zhvilluar punë rreth zgjerimit, modernizimit dhe rindërtimit të saj. Kohën e iftarit, pra udhëtarët e gjindshëm e kanë gjetur si shpëtim nga vështirësitë e panumërta që ua shkakton trafiku i superngarkuar, punimet e lëna përgjysmë në shumë vende të kësaj magjistraleje dhe nga rreziku që përditë i kërcënon ata nga aksidentet e mundshme dhe që ndodhin parreshtur.
Siç dihet, qysh në vitin 2009 kanë filluar punimet për ndërtimin e rrugës që lidh Prishtinën, Vushtrrinë dhe Mitrovicën dhe fshatrat e këtyre dy qendrave komunale. Mirëpo, edhe tash pas rreth 14 vjetëve punimet rreth zgjerimit të kësaj magjistraleje, jo vetëm që nuk janë finalizuar, por edhe më tutje zyrtarët e pushtetit qëndror, autoritetet kryesore të Ministrisë së Infrastrukturës vazhdojnë të përcaktojnë afate të reja përfundimtare për ndërtimin e kësaj rruge. Ndërkohë, qytetarët, nga komuna e Mitrovicës dhe nga ajo e Vushtrrisë, frekuentuesit e rregulltë të kësaj rruge, të mllefosur, të irrituar dhe të shqetësuar gjuajnë “gurë e dru” në drejtim të autoriteteve zyrtare për neglizhencën e pakuptueshme, sipas tyre.
“Në kohën kur kanë filluar punimet në këtë rrugë, vetë Fatmir Limaj atëbotë ministër i Infrastrukturës së Kosovës, ka thënë se kjo rrugë kryhet deri në vjeshtë”, është shprehur për medie një qytetar nga Mitrovica, që qarkullon përditë këtë rrugë.
Ai ka rrëfyer edhe për vështirësitë, vonesat dhe peripecitë e shumta, që ka përjetuar gjatë këtyre 14 vjetëve gjatë qarkullimit nëpër këtë rrugë. Ndërsa, autoritetet qeveritare, këto të tanishmet, për këtë zvarritje kaq të gjatë të zgjerimit të kësaj rruge, herë fajësojnë punëkryesit, herë problemet e shfaqura me shpronësimet e tokave që prekë rruga nacionale Prishtinë-Mitrovicë, herë ndryshimet e mëdha të çmimeve, krahasuar me fillimin e punimeve në këtë magjistrale. Dhe, vazhdimisht duke gjetur fajtorë për dështimet në përmbushjen e afateve në kryerjen e kësaj rruge, janë përcaktuar afate të tjera të reja, të cilat, po kështu, sikundër ato të mëhershmet, së paku deri më tash, asnjëherë nuk u përmbushën dhe nuk u përmbyllën sipas përcaktimeve. Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Hysen Durmishi duke folur për medie pas ndalimit të punimeve në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, që ndodhi në fillim të gushtit 2022, kishte paralajmëruar edhe për shkëputjen e marrëveshjes me kontraktorin që kishte kryer deri në këtë kohë punimet në këtë rrugë. Durmishi kishte thënë se tani duhet të bëhet kontrata me një kontraktor të ri dhe se nuk e di sa do të zgjasë, por që “rruga duhet të përfundojë deri në fund të këtij viti (2022 pra) dhe jo më herët”.
“Fillimisht bëhet prerja e punimeve nga kontraktori paraprak dhe pastaj duhet bërë kontrata me kontraktorin e ri. Nuk dihet se sa do të zgjasë. Do të bëjmë përpjekje maksimale që kontraktori i ri t’i respektojë afatet kohore të parapara në kontratë. Nuk mund të përfundohet puna para ardhjes së bashkatdhetarëve, por shpresojmë që të përfundojë brenda këtij muaji”, u shpreh Durmishi në një emission televiziv, me këtë rast.
Ai tha se rruga me kontraktorin e kaluar do të duhet të përfundonte në muajin prill (2022), por që kompania nuk i ka respektuar afatet.
“Rruga është dashur të përfundojë në muajin prill por që kontraktori nuk i ka respektuar afatet dhe kjo është arsyeja pse është shkëputur kontrata. Afati është 9 muaj nga nisja e punës me kontraktorin”, tha ai.
Ndërkohë, zëvendësministri Durmishi, në fillim të shkurtit të këtij viti, (saktësisht më 9 shkurt 2023), përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se është bërë shkëputja e kontratës me kontraktorin “Pevlaku & Patishta”, i cili ishte angazhuar në projektin “Zgjerimi i rrugës nacionale “N2 Prishtinë – Mitrovicë”.
“Shkëputja e kontratës është bërë bazuar në raportin e Auditorit, me ç’rast punëdhënësi, përkitazi autoriteti kontraktues (MMPHI) dhe financuesit – bankat ndërkombëtare (SFD dhe OFID) pas shumë tentativave dhe takimeve me Kontraktorin për të gjetur zgjidhje dhe të tejkalojnë sfidat me të cilat përballeshin, Kontraktori “Pevlaku & Patishta”, nuk ka përmbushur obligimet/angazhimet e tij të përcaktuara në Minutat e Takimit, klauzola që kishin rënë dakord dhe nënshkruar më 23 Nëntor 2021, nenet e “Aneks Marrëveshjes së Kontratës” me numër MI. 10598, të nënshkruar më 23 dhjetor 2021, si dhe legalizimin e nën-kontraktorit ilegal të angazhuar që nuk lejohet sipas kontratave ndërkombëtare që janë të bazuara në FIDIC”, ka shkruar Durmishi.
Ndërsa, rruga Prishtinë – Mitrovicë, jo vetëm që nuk përfundoi në muajin prill, dhe as në fund të vitit 2022 siç deklaronte zëvendësminsitri Durmishi, por tani parashihen afate të tjera, të reja dhe jo me kohë të shkurtër. Afatet e reja, siç ka njoftuar këto ditë ministri i Infrastukturës, Liburn Aliu, përfundimi i rrugës Prishtinë-Mitrovicë do të zgjasë 25 muaj, pra dy e më shumë vjet. Aliu, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se në fillim të këtij muaji (mars 2023) është publikuar Njoftimi Specifik për Prokurim për Shërbimet Konsulente për Rishikim të Dizajnit dhe Mbikëqyrjen e Punëve Ndërtimore në këtë rrugë dhe ka ftuar kompanitë që t’i dorëzojnë propozimet.
“Sot është publikuar Njoftimi Specifik për Prokurim për Shërbimet Konsulente për Rishikim të Dizajnit dhe Mbikëqyrjen e Punëve Ndërtimore në Rrugën N2 Prishtinë – Mitrovicë, me gjatësi 9.78 km. Shërbimet do të mbulojnë një periudhë prej njëzet e pesë (25) muaj kalendarik nga data e fillimit ku përfshihen: 3 muaj shqyrtimin e dizajnit, përgatitjen e dosjes së tenderit, procedurat e prokurimit dhe vlerësimin e ofertave, 20 muaj periudha e mbikëkqyrjës së punimeve dhe 2 muaj periudha e finalizimit të projektit.
Tash për tash nuk dihet kostoja e përmbylljes së punëve ndërtimore në 9.78 kilometrat e mbetur të rrugës Prishtinë-Mitrovicë. Sado që ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në seancën dëgjimore lidhur me Projektligjin për buxhetin 2023, kishte thënë se buxheti i kësaj ministrie është koncentruar në projekte madhore për të gjithë qytetarët e Kosovës, nuk ka përmendur fare shumën e caktuar për zgjerimin e pjesës së mbetur të magjistrales Prishtinë-Mitrovicë. Aliu ne raportimin para Komisionit për Mjedis tha se për dikasterin që udhëheq për vitin 2023 janë ndarë 251 milionë e 684 mijë e 833 euro.
“Koncentrimin e projektit 2023 e kemi bërë kryesisht në projekte madhore, të cilat duhet të përfundojnë në ato segmente të koncentruara gjatë vitit 2023… Për autostradën Prishtinë-Gjilan-Konçul për vitin 2023 janë të planifikuara 27 milionë euro, në buxhetin e vitit 2022 kanë qenë 5 milionë euro, për zgjëerimin e rrugës Dollc-Gjakovë në planifikimin e vitit 2023 janë paraparë 11 milionë euro, ndërsa në buxhetin e vitit 2022 kanë qenë 2.25 milionë euro, për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë janë paraparë 6 milionë euro, ndërsa me 2022 kanë qenë 1. 1 milionë euro. Për riparimin e rrugës rajonale Prizren-Prevallë janë paraparë 6 milionë euro për vitin 2023, kanë qenë 2 milionë euro në vitin 2022. Zgjerimi i rrugës Prishtinë-Pejë kanë qenë 400 mijë euro në vitin 2022 dhe në vitin 2023 i kemi ndarë 4 milionë euro”, kishte saktësuar ai.
Dhe, në këtë raportim nuk shihet kund ndonjë shumë parash për koston e vazhdimit të punimeve në pjesën e mbetur të rrugës nacionale Prishtinë- Mitrovicë. Duhet thënë se tashmë është bërë e diskutuehme edhe cilësia e punimeve në këtë magjistrale. Ka jo pak dëmtime në shumë pjesë të rrugës, ku tashmë vlerësohën si të përmbyllura dhe thuaja të finalizuara punët ndërtimore të rrugës. Shembull eklatant dhe i ri është pjesa goxha e madhe e rrugës te fshati Mazgit (ana e majtë në të shkuar kah Mitrovica), ku, siç dihet, para dy-tre vjetësh ishte hapur një gropë e madhe mu në rrugën e asfaltuar. Dhe për të qenë e keqja edhe më e madhe, tani, pas disa kohe pas sanimit të gropës, sërish është plasaritur në sipërfaqe edhe më të madhe rruga, dhe çarja e asfaltit në këtë pjesë sa vie e bëhet më e theksueshme dhe ky dëmtim evident sikur paralajmëron për dëmtime edhe më shqetësuese në ditët në vijim. Kështu, posa u mbyll gropa famëkeqe në magjistralen ende të papërfunduar së ndërtuari, shtrohet nevoja urgjente për intervenim të ri për të sanuar dëmtimin e rishfaqur në të njëjtin vend. /Buletini Ekonomik/