Qytetarët e Kosovës do të përballen edhe me rritje të çmimit të energjisë elektrike. Nga 1 prilli do të hyjnë tarifat e reja të cilat janë 14 për qind më të shtrenjta.
Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, e ka konfirmuar përGazetën Insajderi se nga 1 prilli do të hyjnë në fuqi tarifat e reja.
Këto tarifa sipas tij do të jenë 14 për qind më të shtrenjta.
“Tarifat e reja do të hynë në fuqi më 1 prill 2023 dhe do të jenë në fuqi deri më 31 mars 2024. Sipas raportit konsultativ që ende nuk është final, propozimi nga stafi i ZRRE-së është që rritja e nevojshme për reflektimin e kostos së sistemit të jetë rreth 14 për qind”, tha ai.
Sipas tij, kërkesa e KEDS-it ka qenë për rritje 55 për qind.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovës kishte njoftuar se është duke shqyrtuar një kërkesë të jashtëzakonshme për rritjen e tarifave të energjisë elektrike, të bërë nga Kompania Kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS, muajin e kaluar.
KEDS-i e ka justifikuar kërkesën për rritje të tarifave të energjisë elektrike me rritjen e çmimit të rrymës së importuar, si dhe me pamundësinë e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për të prodhuar rrymë të nevojshme, sidomos gjatë sezonit të dimrit.
“Mosreflektimi i duhur rrezikon pozitën financiare të KEDS-it, e njëherësh rrezikon edhe sigurinë e furnizimit me energji elektrike në vend”, thuhet në kërkesën e parashtruar.