Manipulimet me rastin e uljes së çmimeve të reklamuara me pompozitet, sidomos nëpërmjet medieve vizuele, por edhe në mediet e tjera dhe rrjete të ndryshme sociale, bien në sy, pos në zbritjet e ashtuquajtura sezonale, edhe te produktet bazike ushqimore, të cilat për rrethanat e Kosovës janë ekstremisht të shtrenjta. Dhe, prandaj, çdo paralajmërim për ndonjë ulje eventuale të çmimit të secilit produkt themelor ushqimor, “dhezë” dhe joshë kosovarët, shumica e të cilëve janë të varfër dhe shumë sish edhe ekstremisht të varfër. Në shumicën e rasteve, konsumatorët mbetën të zhgënjyer, me të parë çmimet e paralajmëruara si të zbritura e sidomos me rastin e pagesave në arkat e këtyre qendrave tregtare.
Mehmet GJATA
Tregtarët kosovarë, ata të pandërgjegjshmit, ka kohë që pos manipulimit dhe abuzimeve me ngritjen e çmimeve duke shfrytëzuar situatat dhe krizat në zhvillimet politike, ekonomike e sociale, janë duke abuzuar edhe me rastin e uljeve të çmimeve. Manipulimet me rastin e uljes së çmimeve të paralajmëruar me pompozitet, sidomos nëpërmjet medieve vizuele, por edhe në mediet e tjera dhe rrjete të ndryshme sociale, bien në sy, pos në zbritjet e ashtuquajtura sezonale, edhe te produktet bazike ushqimore, të cilat për rrethanat e Kosovës janë ekstremisht të shtrenjta.
Dhe, prandaj, çdo paralajmërim për ndonjë ulje eventuale të çmimit të secilit produkt themelor ushqimor, “dhezë” dhe joshë kosovarët, shumica e të cilëve janë të varfër dhe shumë sish edhe ekstemisht të varfër. Në këto raste, vërshohen marketet e mëdha, megamarketet, që tani në gjithë Kosovën janë të panumërta, nga kosovarët, të cilët, sado që tashmë shumë herë janë “djegur” nga mashtrimet e tregtarëve, prap se prap ia mësyjnë këtyre marketeve me shpresën se do të gjejnë diçka, ndonjë produkt ushqimor me çmim të ulur, siç iu bëhet reklamimi agresiv në mediet vizuele dhe në rrjetet sociale. Por, në shumicën e rasteve, konsumatorët mbetën të zhgënyer, me të hyrë në këto markete, me të parë çmimet paralajmëruara si të zbritura sidomos me rastin e pagesave në arkat e këtyre qendrave tregtare. Zhgënjehen qytetarët e vendit sidomos kur shohin se reklamimet e bëra për ulje çmimesh janë thjesht gënjeshtra, abuzime me ta dhe s’kanë të bëjnë fare me uljet e reklamuara të këtyre çmimeve. Ose, edhe nëse ndonjë produkt ushqimor ka realisht zbritje, në të shumtën është fjala për produkte të skaduara, përkatësisht sosh që të nesërmen e tregtimit me zbritje të paralajmëruar u skadon afati i përdorimit, që në shumë këso produktesh nuk mund të shlyhet, as të kamuflohet.
Një qytetar, klient i rregulltë i këtyre marketeve, në kushte rreptësisht të anonimnitetit, i ka thënë Buletinit Ekonomik, se këto ditë i ndodhi që në njërën nga qendrat tregtare të zingjirit të megamarketeve të shumta në kryeqytet dhe në mbarë vendin, kur shkoi te furnizohet me jogurin e Vita-s, të reklamuar për ulje të madhe çmimi (sipas sintagmës “merr dy, paguaj vetëm një”), e pa që jogurtit të ofruar sipas paralajmërimit, madje edhe të lidhur me një shirit najloni të dy jogurtëve, i skadon afati i përdorimit në ditën e nesërme. Ose, një konsumator tjetër rrëfen se “dje kishte marrë një komplet vezësh me zbritje nga 4,70 euro në 3,70, ndërsa sot kur mora të njejtin paketim prej 30 copë vezësh, në arkë më kërkuan plus një euro, që i binte se sot vezët nuk tregtohen me zbritje, edhe pse data e reklamimit për ulje çmimesh vazhdonte.
“Arkatarja, pasi që i kërkova sqarim për këtë, shkurt më tha se kanë qenë tjera vezë ato, sado që ngula këmbë që çmimi i ulur ende ishte nën vezët për të cilat bëhet fjalë, dhe për vezët krejtësisht të njëjta, që një ditë më parë i kisha blerë me zbritjen e paralajmëruar”, rrëfen ky konsumator.
Ndodhë, pastaj në shumë raste që çmimi i ulur figuron vetëm në raftin ku është i ekspozuar produkti, ndërsa në arkë të faturohet tjetër çmim, ai i vërteti, që është pa ulje. Konsumatorët përmendin edhe rastet kur në megamarketet e shumta, në raftet ku janë vendosur produktet e ndryshme, sidomos ato më të kërkuara, siç është vaji ushqimor vendosen vetëm nga 5-6 ekzemplarë të produktet të cilët sa çel e mbyllë sytë shiten, dhe pastaj aty mbetet vendi i zbrazët fare. Dhe në kërkesat e konsumatorëve pasojnë përgjigjet lakonike se “është shitur”.
Raste të abuzimit me çmimet e ulura, njohësit e rrethanave e konsiderojnë edhe ca aplikacione në telefon të ndonjë marketi të madh, të cilin duhet ta kenë klientët pavarsisht moshës, gjinisë dhe aftësisë së tyre për të komunikaur me telefonat e mençur. Edhe pse klienti e merr produktin në raftë me çmim saktësisht të ulur, kur të shkojë në arkë, nëse nuk ka aplikacionin e kërkuar, ose nëse nuk di të përdorë telefonon celular, atëherë ai detyrimisht duhet të paguaj tjetër çmim, jo ate që i ofrohet në raft.
Organizatat që merren me të drejtat e konsumatorëve, në të shumtën e rasteve të keqpërdorimeve me abuzimin me çmime, pos konstatimit se “ka keqpërdorime”, nuk kanë ndonjë mundësi reale për t’i ndihmuar konsumatorët. Sipas tyre “parregullsitë dhe mashtrimet po bëhen për shkak të mungesës së inspektorëve”.
Ndërkohë, ditë më parë, nga Agjencia e Ushqimit, kanë thënë për medien e vendit se “kanë kapacitete të limituara, porse po mundohen t’i jenë afër qytetarëve”. Në anën tjetër, qytetarët thonë se nuk janë të mbrojtur dhe se nuk ka mbikëqyrje të institucioneve si për çmimet, ashtu edhe për kualitetin e produkteve. Dhe, atyre po vazhdon t’u ndodhë që çmimet e produkteve në rafte të dallojnë nga çmimet në faturë. Në këtë mënyrë, sado që konsumatorët janë të mbrojtur ligjërisht edhe në Kosovë, shkeljet e të drejtave të tyre janë mjaft të shpeshta. Madje janë bërë “sëmundje kronike”.
Vetëm gjatë këtij viti, në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit janë adresuar mbi 500 ankesa. Në Ditën Ndërkombëtare të Konsumatorit, që simbolikisht shënohet çdo 15 mars edhe në vendin tonë, sipas medieve, konsumatorët në Kosovë u përballën me shkelje të shumta të të drejtave të garantuara me ligj. Mashtrimet me çmime apo edhe zbritjet e pavërteta, që janë bërë mjaft të shpeshta, janë ndër këto shkelje. Por, shqetësuese mbetet edhe shitja e produkteve me afat të skaduar. “Personalisht disa herë më ka ndodhur që një produkt ta paguaj në arkë më shtrenjtë se që ka shkruar çmimi në raft. Por, dukuri shumë më e keqe se kjo është shitja e produkteve pa afat, siç edhe ka ndodh ta blej. Kjo është shqetësuese, pasi tregon se ka tregtarë që për pak pare janë në gjendje të rrezikojnë jetën e dikujt”, ka thënë për medien kosovare një konsumatorë .
Selatin Kaçaniku, i cili prej vitesh drejton Organizatën “Konsumatori”, me të cilën promovon të drejtat e qytetarëve konsumatorë, tha se skeljet e të drejtave të konsumatorëve janë të mëdha. “Ligji për mbrojtjen e konsumatorëve nuk zbatohet në shumë pika. Ne jemi të pa mbrojtur. Gjykatat janë përplot me ankesa të qytetarëve konsumatorë. Reagim edhe më të keq se ankesën e kemi heshtjen. Prandaj MINT, Qeveria e Parlamenti, duhet të kujtohen e të mos mendojnë se i kanë zgjidhur punët pse ka pak ankesa, por le ta dinë se kjo heshtje dikur mund të shpërthejë”, tha Kaçaniku për medie.
Ndërsa, sipas të dhënave, gjatë vitit 2022 Inspektorati i Tregut ka pranuar dhe shqyrtuar 1,239 ankesa dhe ka shqiptuar 311 gjoba. Megjithatë, abuzimi me të drejtat e konsumatorëve, manipulimin me çmime të ulura dhe me shitje të produkteve me afat të skaduar vazhdon nga tregtarët kosovarë, sidomos nga marketet e mëdha dhe të ashtuquajturat megamarkete. Zyrtarët fajin ia lënë në të shumtën e rasteve mungesës së numrit të mjaftueshëm të inspektorëve të tregut dhe të atyre sanitarë. Ndërsa, konsumatori i thjeshtë po kërkon atë që i takon dhe çmimin që po ofrohet si i ulur. Dhe kjo është e drejtë e pakontestueshme e tyre, pavarsisht retorikës shterpe të zyrtarëve. Por, së paku deri më tash, po del të jetë e drejtë edhe e tregtarëve kosovarë, edhe të atyre abuzivë, me uljen e çmimeve në tregtitë e tyre ( shitore të ndryshme mallrash prej më të ndryshmeve, markete dhe supermarkete lloj-llojesh)./Buletini Ekonomik