Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) mbajti mbledhjen e radhës, ku diskutoi dhe mori vendime të rëndësishme për procesin e privatizimit dhe të likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore në përputhje me mandatin ligjor. Gjatë kësaj mbledhjeje, menaxhmenti i AKP-së raportoi para Bordit për periudhën paraprake.
Përmes një komunikate për medie, Bordi i AKP-së diskutoi dhe me vota unanime aprovoi përcaktimin e objektivave të menaxhmentit të AKP-së për vitin 2023, duke i vlerësuar këto objektiva konkrete, të matshme dhe të arritshme.
Gjithashtu, u diskutua për ndërmarrjen shoqërore “Brezovica” dhe raportin mujor për këtë ndërmarrje, ndërkaq në lidhje me raportin e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për qiratë, Bordi aprovoi planin e veprimit për adresimin e të gjeturave i dalë nga ky auditim.
Veç kësaj, Bordi diskutoi për raportin vjetor për vitin e shkuar 2022, i cili do të rishikohet dhe do të komentohet para se AKP ta dërgojë në Kuvendin e Kosovës brenda afatit kohor ligjor. Bordi gjatë kësaj mbledhjeje pezulloi shitjet e pronave shoqërore që janë në kuadër të Parkut Kombëtar Sharri.
Më tej bëhet e ditur se në këtë takim u miratua propozimi për dhënie të pëlqimit për regjistrim/bartje në librat kadastralë të pronat e paluajtshme nr.1403-0 dhe nr.1407-0 ZK Obrangjë për ndërtimin e lokacionit për “Varrezat e Qytetit” si dhe nr.315-0 ZK Surkish për ndërtimin e “infrastrukturës Shëndetësore”, të NSH Kooperativa Bujqësore Përparimi (PRN019), Podujevë, në përputhje me vendimin përfundimtar të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për shpronësim me numër 19/121 të datës 25 Janar 2023 sipas kërkesës së Komunës së Podujevës.
“Bordi më tutje shqyrtoi dhe miratoi raportet e shpërndarjes për kreditorët e ndërmarrjeve shoqërore në likuidim: “Kombinati i Lëkurë Këpucëve”, në Pejë; pastaj për “Vinex”, në Viti si dhe për “Ndërmarrjen Pyjore, Industriale, Tregtare Gjeravica”, në Deçan. Bordi po ashtu miratoi propozimin e Autoritetit të Likuidimit për Raport për heqje dorë nga aseti: PEJ131 NSH 16 Qershori parcela 1397/0 ZK Junik për arsye se e njëjta shfrytëzohet si rrugë publike brenda Zonës Kadastrale Junik”, thuhet mes tjerash në komunikatë.