Amazon planifikon të shkurtojë 9 mijë vende të punës, në tentim e sipër për të zvogëluar shpenzimet. Në janar të këtij viti, kjo kompani ka mbyllur 18 mijë vende të punës.
Kompania, e cila punëson 1.5 milion njerëz në gjithë botën, ka thënë se ky shkurtim do të prekë më shumë sektorin e ruajtjes së të dhënave dhe atë të reklamimit.
Në njoftim, shkruan REL, nuk janë përmendur shtetet që do të preken, mirëpo është thënë se pozitat do të mbyllen në javët në vazhdim.
Sikurse shumë gjigantë tjerë teknologjikë, Amazoni ka përjetuar rritje të jashtëzakonshme në periudhën e pandemisë COVID-19, kur njerëzit janë bllokuar nëpër shtëpitë e tyre.
Mirëpo, së fundi shkalla e shitjeve ka rënë, pasi konsumatorët kanë shpenzuar më pak, për shkak të rritjes së çmimeve. Përveç pandemisë, në këtë rritje ka ndikuar edhe lufta e Rusisë në Ukrainë.