ATK lanson projektin “Kreditimi i TVSH-së”

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se tashmë ka lansuar projketin më të ri të saj, të quajtur Kreditimi i TVSH, i cili nënkupton përmirësimin e përmbushjes tatimore të personave të tatueshëm dhe të regjistruar për TVSH.

Sipas ATK-së, ky projekt është i gjashti me radhë në vazhdën e projekteve për përmirësimin e përmbushjes tatimore.

“Përmes këtij projekti planifikohet të përmirësohet përmbushja tatimore e personave të tatueshëm dhe të regjistruar për TVSH, përfshirë të gjithë faktorët e përcaktuar sipas legjislacionit të TVSH-së me ndikim në kreditimin e TVSH-së”, thuhet në njoftimin e ATK-së për media.

Reklama e sponzorizuar

Nga ATK-ja theksojnë se sipas planifikimeve, ATK do të kryejë aktivitete intensive gjithandej Kosovës me qëllim të identifikimit të personave, të cilët bazuar në dispozitat ligjore nuk deklarojnë saktë kreditimin e TVSH-së.

Sipas Administratës Tatimore të Kosovës kjo kategori e tatimpaguesve është përzgjedhur të trajtohet, pikërisht duke u nisur nga fakti se TVSH-ja në raport me tatimet tjera, është tatimi më i rëndësishëm dhe mekanizmi më me ndikim në teorinë dhe praktikën tatimore, përmes së cilit realizohet funksionimi i suksesshëm dhe i qëndrueshëm i sistemit tatimor në vend.

Prandaj, synimet strategjike të ATK-së përmes Projektit për Kreditim të TVSH-së, sipas tyre, janë përmirësimi i përmbushjes tatimore ose rritja e të hyrave nga TVSH-ja, si dhe ulja e hendekut tatimor, të cilat më pas ndikojnë në rritjen e nivelit të përmbushjes vullnetare.

“Padyshim institucioni çdo herë merr parasysh rekomandimet e dhëna nga FMN në trajtimin e rreziqeve për industritë e selektuara. Administrata Tatimore e Kosovës, u bënë thirrje të gjithë personave të tatueshëm që të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor, pasi që në të kundërtën do të ndërmerren masat e përcaktuara me legjislacionin tatimor”, përfundon komunikata e ATK-së. /Buletini Ekonomik/