Pas raportimeve për gjendjen e rëndë të Trustit Pensional, ka reaguar deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili disa herë ka bërë fushatë për lejimin e qytetarëve që t’i tërheqin e një pjesë të mjeteve të Trustit.
Ai ka thënë se vendimmarrësit qeveritarë dhe parlamentarë nga Lëvizja Vetëvendosje duhet të japin llogari për humbjet që po pëson Trusti dhe për arsyet që nuk lejuan tërheqjen e mjeteve, kur një gjë e tillë doli për votim në Kuvend.
“E kundërshtuan tërheqjen e 30% të Trustit në emër të sigurisë së pensioneve, sot po rrezikojnë seriozisht pensionet e qytetarëve me mos emërim të Bordit të Trustit dhe po vazhdojnë të rrezikojnë seriozisht paratë e Trustit që ato të humbasin në tregjet ndërkombëtare për shkak të paaftësisë së tyre”, ka shkruar deputeti.
Nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka thënë se “nuk mund të themi që mjetet e FKPK-së si tërësi janë të rrezikuara, por gjithsesi institucioni është në gjendje të vështirë pa organin kryesor [v.j. Bordin] vendimmarrës sipas legjislacionit në fuqi”.
Shkrimi i plotë i Haxhiut:
Humbjet që po pëson Trust-i duhet patjetër që të shtyjë Qeverinë ta riprocedojë kërkesën e qytetarëve për tërheqjen e Trustit.
Albin Kurti, Hekuran Murati, Armend Muja dhe Mimoza Kusari – Lila duhet të përgjigjen para qytetarëve, pse nuk lejuan terheqjen e mjeteve nga Trusti dhe për humbjet që i ka pësuar Trusti gjatë vitit të fundit.
E kundërshtuan tërheqjen e 30% të Trustit në emër të sigurisë së pensioneve, sot po rrezikojnë seriozisht pensionet e qytetarëve me mos emërim të Bordit të Trustit dhe po vazhdojnë të rrezikojnë seriozisht paratë e Trustit që ato të humbasin në tregjet ndërkombëtare për shkak të paaftësisë së tyre.