Inflacioni fluturon në Kosovë- Përse shteti nuk po vendos nën kontroll çmimet e produkteve bazike?

Fotografi ilustruese

Inflacioni me normë të lartë vazhdon të jetë problemi kryesor për qytetarët e Kosovës gjatë viteve të fundit. Xhepi i qytetarëve po përballet me rritje të fortë të çmimeve. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e produkteve bazike janë rritur prej 0.9 për qind në muajin janar 2023, krahasuar me muajin dhjetor 2022. Por, përse shteti nuk po e merr nën kontroll vendosjen e çmimit tavan për produktet bazike?

Shtrenjtimi i produkteve bazike ka vazhduar edhe në fillim të vitit 2023. Nga dhjetori i vitit 2022 deri në janar të vitit 2023, shumë produktet bazike kanë pësuar rritje enorme.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave (ASK), mbi çmimin ditor të produkteve, figuron se shtrenjtim ka pasur mishi, sheqeri, djathi, vaji dhe kafeja.

Reklama e sponzorizuar

Djathi është shtrenjtuar për 26 centë, vaji për 8 centë dhe kafeja për 23 centë.

Përveç këtyre, çmimet janë rritur edhe për produktet e tjera si patatet, çaji, kripa e kuzhinës, detergjentet dhe shamponët.

Ndërkohë produktet që janë liruar janë orizi, makaronat, mielli, qumështi, gjiza, fasulja, të cilat janë liruar nga 1 centë.

Por, përse shteti nuk po merr nën-kontroll vendosjen e çmimit tavan për produktet bazike?

Më 11 dhjetor të viti 2022, në Kuvendin e Kosovës ishte miratuar në lexim të dytë Ligji për masat e përkohshme të produkteve bazike.

Qëllimi i këtij ligji ishte që të rregullojë masat mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore për konsumatorët, në kohë të paraqitjes së rasteve të veçanta të destabilizimit në treg.

Por, që nga ajo kohë ende nuk ka një dritë jeshile që ky Ligj të vihet në funksion dhe të rregullohet çmimi i produkteve.

Gazeta Insajderi ka kontaktuar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për të kuptuar përse ende nuk është funksional Ligji për Masat e Përkohshme për Produktet Esenciale.

Nga Ministra e udhëhequr nga Rozeta Hajdari, thanë se ky Ligji nuk mund të fillojë të zbatohet pa përfunduar procesi në Gjykatën Kushtetuese.

“Ashtu siç jeni të informuar Ligji për Masat e Përkohshme për Produktet Esenciale (i propozuar dhe i përgatitur nga MINT) është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por i njejti është dërguar në Gjykatën Kushtetuese dhe deri në përfundim të këtij procesi, Ligji nuk mund të fillojë të zbatohet”, thuhet në përgjigjen e MINT dhënë Insajderit.

Tutje, në përgjigjen e tyre thuhet se në momentin që Gjykata Kushtetuese jep një verdikt pozitiv për Ligjin për Masat e Përkohshme për Produktet Esenciale, menjëherë do të përcaktohet çmimi tavan i produkteve bazike.

“Me Ligjin për Masat e Përkohshme për Produktet Esenciale, është përcaktuar edhe mundësia e përcaktimit të çmimit maksimal të lejuar apo përcaktimi i marzhës tregtare, por këto masa do të mund të ndërmerren, kur të përfundojnë procedurat e lartcekura si dhe të plotësohen kushtet për zbatim të ligjit në fjalë”, thuhet në përgjigjet e MINT dhënë Insajderit.

Deri në funksionalizimin e këtij Ligji, ministria ka vendosur që përmes Inspektoratit të Tregut të vë nën kontroll sadopak çmimet që kanë arritur rritje rekord.

Sipas tyre, Inspektorati i Tregut është duke bërë kontrollim dhe parandalim të ngritjes së çmimeve në mënyrë të pajustifikueshme.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes Inspektoratit të Tregut  është duke ndërmarr veprime për kontrollim dhe parandalim të ngritjes së çmimeve në mënyrë të pajustifikueshme, por këto veprime mbështeten në legjislacionin në fuqi, deri në fillimin e zbatimit të ligjit i cili është përgatitur në veçanti për produktet ushqimore esenciale”, thuhet më tej në përgjigjet e tyre.