Numri i familjeve me gjendje të rëndë ekonomike, e që marrin asistencë sociale çdo muaj nga buxheti i Kosovës, aktualisht është 22 mijë e 571.
Vetëm në muajin janar të këtij viti, nga skemat e ndihmave sociale të Kosovës kanë përfituar gjithsej 89 mijë e 318 anëtarë familjesh, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas të dhënave më të fundit të dala nga raporti i Agjencisë së Statistikave të Kosovës rreth “Mirëqenies Sociale” për muajin janar të 2023-s, rreth 2 mijë e 894 familje kanë përfituar nga skema për mbështetje materiale për familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara nga 1 deri në 18 vjeç.
Bazuar në gjendjen e muajit janar 2023, numri më i madh i familjeve nën asistencë sociale ishte si gjithnjë në komunën e Mitrovicës, komunë kjo e cila për vite me radhë prinë për numrin e madh të familjeve në varfëri. Nga kjo komunë kanë përfituar gjithsej 2 mijë e 152 familje. Njësoj, edhe numri më i madh i anëtarëve të familjeve që kanë përfituar nga kjo skemë, është po ashtu në komunën e Mitrovicës, me gjithsej 8 mijë e 761 përfitues.
Pas Mitrovicës “së varfër”, renditet Vushtrria me numrin më të madh të familjeve që përfitojnë nga skemat sociale. Kështu, kjo komunë ka të regjistruar gjithsej 1 mijë e 306 familje në skemat sociale. Kurse pas Vushtrrisë, vijnë Lipjani me 1 mijë e 208 familje, Prishtina me 1 mijë e 155 familje, Gjakova me 1 mijë e 93 familje, si dhe Peja me 1 mijë e 11 familje nën asistencë. Edhe komunat e tjera padyshim se kanë familje nën asistencë sociale, mirëpo tek ato numri i familjeve të regjistruara si raste sociale është më i vogël.
Ndryshe, Skema e Ndihmës Sociale është mbështetje dhe ofrim i ndihmës së përkohshme financiare për familjet që jetojnë në varfëri. Pagesa mujore e përfituesve të kësaj Skeme bëhet sipas numrit të anëtarëve të familjes, ku shuma minimale është shtatëdhjetë (70) euro për familjet me një anëtar ndërsa shuma maksimale është njëqind e tetëdhjetë (180) euro, të cilën mund ta përfitojnë familjet me pesëmbëdhjetë (15) anëtarë. Gjithashtu ekziston edhe një shtesë e vogël prej dhjetë eurove për çdo fëmijë të moshës 0-18 vjeç. /Buletini Ekonomik/