Pse po ulen çmimet e veturave elektrike?

Vetura elektrike

Tregu global i veturave elektrike (EV) po rimëkëmbet nga një nga kolapset më dramatike në shitjet mujore.

Hulumtimi nga Rstad Energy zbuloi se vetëm 672 mijë automjete elektrike u shitën në të gjithë botën në janar, afërsisht gjysma e shitjeve të dhjetorit 2022 dhe vetëm një rritje prej 3 për qind nga janari 2022.

Në të njëjtën kohë, pjesa e tregut të automjeteve elektrike në mesin e të gjitha veturave të shitura ra në 14 për qind në janar, që është dukshëm më e ulët se 23 për qind e regjistruar në dhjetor, shkruan Autoblog.

Reklama e sponzorizuar

Shitjet e automjeteve elektrike janë rritur vazhdimisht vitet e fundit dhe ngadalësimi i shitjeve është një lajm shqetësues për industrinë. Uljet e taksave dhe subvencionet qeveritare kanë mbështetur deri më tani tregun e automjeteve elektrike, pasi shtetet identifikojnë elektrifikimin e veturave një taktikë kyçe për të arritur qëllimet e emetimeve zero.

Ulja apo anulimi i këtyre subvencioneve në fillim të vitit ndikoi negativisht te konsumatori. Tani prodhuesit e automjeteve po përpiqen të ndryshojnë trajektoren në rënie dhe të shpëtojnë tregun në vitin 2023.

Subvencionet për automjetet elektrike në shumë vende evropiane dhe në Kinë u reduktuan në fillim të vitit dhe kthimi i ndonjë subvencioni të rëndësishëm nuk ka gjasa në të ardhmen e afërt. E vetmja fije shprese për perspektivën globale është tregu amerikan, i cili është vetëm në fillim të rrugëtimit të elektrifikimit dhe futjes së stimujve tatimorë.

SHBA-ja ishte i vetmi treg i madh që pa një rritje të shitjeve të automjeteve elektrike dhe pjesës së tregut në krahasim me vitin e kaluar, megjithëse kontributi i saj në totalin global është ende relativisht minimal.

Kina, tregu më i madh në botë për veturat elektrike, pati rënie të shitjeve të automjeteve elektrike me gati 50 për qind në janar 2023 krahasuar me muajin e kaluar.

Megjithëse pati rritje margjinale të shitjeve të automjeteve elektrike në Evropë në janar në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, performanca e tregut ishte e dobët, me shumë vende që përjetuan rënie në shitjet e automjeteve elektrike pas dhjetorit 2022.

Me përfundimin e subvencioneve për automjetet elektrike, shumë konsumatorë nxituan të blinin vetura të reja para fundit të vitit 2022. Si rezultat, shitjet u rritën në fund të vitit të kaluar.

Për revolucionin e parashikuar elektrik, rritja prej 3 për qind është shumë pak. E gjithë kjo ndoshta bëri që Tesla të ulte ndjeshëm çmimet e modeleve të saj, dhe disa prodhues të tjerë të veturave elektrike reaguan gjithashtu. /Katror.info/