Qeveria aprovon tri vendime për sektorin e energjisë, edhe 6 milionë tjera për subvencionimin e konsumatorëve

Në mbledhjen e fundit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar tri vendime të rëndësishme për sektorin e energjisë. Për më shumë, Qeveria ka ndarë 6 milionë euro tjera për tejkalimin e krizës energjetike.

Ndër vendimet e fundit, Qevria ka aprovuar projektligjin për ratifikim e marrëveshjes së kredisë me KOSTT dhe KfW për projektin “Zhvillimi i Sektorit të Energjisë, faza VII”.

Me ketë marrëveshje, Qeveria do të huazoj 25.5 milionë nga KfW, të cilat nënhuazohen tek KOSTT për përmirësimin e sistemit të transmisionit në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

Vendimi tjetër ka të bëjë me projektin e ngrohtores solare në Prishtinë. Më saktësisht, Qeveria ka aprovuar projektligjjn për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për projektin e ngrohtores solare në Prishtinë me BERZh në vlerë prej 23.2 milionë.

Ky projekt parasheh ndërtimin e impiantit solar me kapacitet 30 MW, për të siguruar zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore në Prishtinë për deri në 50 MW. Pjesa tjetër është financim nga grantet nga Qeveria Gjermane dhe BE.

Ndër vendimet, edhe 6 milionë euro tjera për subvencionimin e tarifave për qytetarët që kursejnë rrymën

Ndër vendimet e fundit që kanë të bëjnë me sektorin e energjisë elektrike, Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e Ministrisë së Financave për ndarjen e gjashtë milionë euro për subvencionim të faturave të energjisë elektrike për amvisëritë të cilat kanë ulur konsumin krahasuar me muajt përkatës të vitit paraprak.

Ndryshe, masa 3.7 e Pakos për Ringjallje Ekonomike parasheh mbështetjen e qeverisë në tejkalimin e krizës energjetike.

“Amvisëritë të cilat ulin konsumin e energjisë elektrike krahasuar me muajt përkatës të vitit paraprak e që kualifikohen për përfitim, mbështeten me subvencionim të faturës së energjisë elektrike në raport me kursimin, duke filluar nga fatura e muajit Shtator 2022”, thuhet në Pakon për Ringjallje Ekonomike.

Subvencionimi i qytetarëve që kursejnë ka filluar në shtator të vitit të kaluar

Qeveria e Kosovës nga muaji shtator ka filluar të subvencioni qytetarët të cilët kursejnë energjinë elektrike. Ky subvencionim i energjisë elektrike, është në kuadër të pakos që është përgatitur nga ekzekutivi për të përballuar inflacionin.

Qytetarët do të subvencionohen për dyfishin e kursimit të energjisë elektrike. Konsumatorët nuk kanë nevojë të aplikojnë pasi do të përdoren të dhënat nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati kishte njoftuar që nëse një familje ka shpenzuar 1,000 kilovat në shtatorin e vitit të kaluar ndërsa në shtatorin e këtij viti ka harxhuar 900 kilovatë, ajo do të subvencionohet për dyfishin e kursimit, do të thotë 20% (pasi që 10% është kursimi në mes dy muajve, ndërsa dyfishi i kursimit është 20%).