Qytetarët e Kosovës marrin kredi për konsum e blerje të shtëpive

Euro

Qytetarët e Kosovës aktualisht kanë borxh në banka mbi 5 miliardë euro. Ndërsa, bëhet me dije se kreditë qytetarët i kanë marrë për konsumim dhe blerje të shtëpive.

Banka Qendrore e Kosovës ka publikuar disa të dhëna interesante rreth llojit të kredive që po mbizotërojnë në sektorin bankar në Kosovë.

Në tremujorin e parë të vitit 2022 vërehet një rritje e kërkesës për kredi nga qytetarët për ta financuar konsumin, si dhe për blerjen e shtëpive.

Reklama e sponzorizuar

Këto dy lloje të kredive kanë shënuar rritjen më të madhe, sipas raportit “Anketa e Kreditimit Bankar” të publikuar së fundi.

“Nëse e zbërthejmë kërkesën kreditore sipas llojeve të kredive për ekonomitë familjare, rezulton që kërkesa për kredi konsumuese shënoi rritje me indeks pozitiv prej 0.22, ndërsa kërkesa për kredi për blerjen e shtëpive shënoi rritje me indeks pozitiv prej 0.18”.

Saktësisht, pesë banka, sipas BQK-së, kanë raportuar për rritje të kërkesës për këto dy lloje të kredive.

“Nëse krahasojmë rezultatet aktuale të kërkesës për kredi me pritjet e bankave të deklaruara në anketën e kaluar për të njëjtën periudhë, niveli aktual i rritjes së kërkesës është më i lartë për të dy llojet e kredive”.

Sipas raportit, faktorët që ndikuan pozitivisht dinamikat në kërkesën për kredi ishin nevoja për financimin e shpenzimeve të konsumit dhe në një nivel të ulët pozitivisht ndikoi edhe perspektiva e tregut të patundshmërive.

Këto dy lloje të kredive i prijnë listës si më të kërkuarat nga klientët bankar në Kosovë edhe sipas një ankete të Institutit GAP.

53 për qind e respodentëve janë deklaruar për llojin e kredisë konsumuese/ personale, ndërsa e dyta në listë është “Kredi për blerjen e shtëpisë” me 17 për qind. 6 për qind janë deklaruar se kanë hyrë kredi për të blerë veturë dhe po kaq kredi për zgjerimin e biznesit.

Tashmë dihet se edhe norma e interesit tek kamatat ka shënuar rritje nga 5.9 në 6.3 për qind.

“Kreditë për ekonomitë familjare kanë pasur rritjen më të madhe të normës së interesit. Prej 5.9 për qind sa ka qenë në dhjetor të vitit të kaluar, ka arritur në 6.3 për qind në janar të këtij viti. Ndërsa, norma e interesit për kreditë konsumuese ka arritur në 6.5 për qind, prej 6.4 për qind sa ka qenë vitin e kaluar”, thuhet në raportin e publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës.

Një parashikim për rritjen e normave të interesit në sektorin bankar e kishte bërë BQK-ja duke u mbështetur në vendimet e Bankës Qendrore Evropiane.

Në bazë të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, bankat komerciale në Kosovë i përcaktojnë individualisht normat e interesit, bazuar në politikat e tyre afariste.

Në Kosovë veprojnë 11 banka komerciale dhe vlera e kredive tashmë ka arritur në  mbi 5 miliardë euro.