Rriten çmimet e çajit, kafesë e shumë produkteve të tjera

Trendi i rritjes së çmimeve në Kosovë ka vazhduar edhe në ditët e para të muajit mars. Këtë e dëshmon ASK-ja përmes përditësimit të tabelave, ku tregon për çmimet mesatare të disa prej produkteve në vend.

Siç shihet në tabelën e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), këto ditë ka pasur rritje të çmimit të makaronave, miellit, kafes, çajit dhe produkteve të tjera.

Reklama e sponzorizuar

Nga 94 centë sa kushtonin 500 gram të makaronave, çmimi i tyre është rritur në 1 euro e 2 centë. Çmimi i miellit të grurit nga 3 euro e 54 centë sa ishte ditë më parë, është rritur në 3 euro e 81 centë.

Po ashtu pati rritje edhe të çmimit të kafes, nga 6 euro e 10 centë në 6 euro e 32 centë. Edhe çmimi i çajit është rritur mjaftë shumë këto ditë. 800 gram të çajit nga 9 euro e 46 centë u bënë 9 euro e 73 centë.

Çmimi i detergjentit për enë u rrit për 3 centë. Nga 2 euro e 28 centë u ngrit në 2 euro e 31 centë. Po ashtu edhe çmimi i shamponit për flokë u rrit në 2 euro e 11 centë nga 2 euro e 2 centë sa ishte ditë më parë. /Nacionale/