Rritet numri i rasteve të vdekjeve dhe lëndimeve në vendin e punës

Siguria në punë vazhdon të jetë problem për punëtorët kosovarë. Deri në fund të muajit shkurt, dy persona kanë humbur jetën në vendin e punës, teksa janë shënuar 51 aksidente. Kështu thonë në Inspektoratin e Punës. Ndërsa, nga Sindikata e Sektorit Privat thonë se numri i të vdekurve në vendin e punës është më i madh.

Si pasojë e kushteve jo të mira dhe sigurisë së pamjaftueshme në punë, vazhdojnë të pësojnë një numër i konsiderueshëm i punëtorëve, me lëndime apo vdekje në vendin e punës.

Këtë vit, deri në fund të muajit shkurt kanë vdekur dy persona në vend pune, ndryshe nga viti i kaluar. Këtë e ka bërë të ditur për Radio Kosovën kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi.

Reklama e sponzorizuar

“Numri i aksidenteve në dy mujorin e parë të vitit 2023 në tërësi është 51 aksidente, prej tyre 2 kanë përfunduar me vdekje dhe 49 me lëndime. Në vitin 2022, në dy mujorin e parë kanë ndodhur 40 aksidente në punë”, thotë Nikçi për Radio Kosovën.

“Nga këto aksidente nuk ka pasur asnjë vdekje, të gjitha kanë përfunduar me lëndime”.

Ai tha se ndryshimi i numrit të aksidenteve në këta dy muaj dhe vitit paraprak është se tani kemi 11 aksidente ma shumë. “Pra, kemi rritje të numrit”, tha Nikçi.

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se numri i të vdekurve në vendpune është më i lartë, e kjo është mjaft shqetësuese.

“Deri tani, kemi 6 raste të vdekjeve në vendin e punës. Fatkeqësisht ky vit ka filluar shumë keq”, thotë Azemi për Radio Kosovën.

“Ne e kemi analizuar se pse ka mund të vije situata deri te kjo”.

Ai tha se meqë një pjesë bukur e madhe e punëtorëve të kualifikuar e me përvojë dhe që e njohin më mirë natyrën e punës veç kanë ikur jashtë vendit, tani pronarët e kompanive po marrin punëtorë të pa kualifikuar.

“Kjo po bënë që shpesh herë punëtorët duke mos njohur natyrën e punës edhe po humbin jetën”, tha ai.

Sindikalisti Azemi tutje thotë se në këtë situatë janë të nevojshëm më shumë inspektorë dhe kontrolle në vende të punës.

Ndërkohë, nga Inspektorati i Punës, kanë treguar për Radio Kosovën se gjatë vitit 2022, numri i aksidenteve në vendin e punës ka qenë 394.

Nga këto aksidente, gjatë vitit të kaluar 15 kanë përfunduar me fatalitet.