Praktikisht, nuk qëndrojnë asnjëri nga arsyetimet e ZRRE-së, të bëra publike tashmë disa herë në mediet kosovare, për ngritje të çmimeve të energjisë elektrike rreth 15% për konsumatorët, të cilat, siç është paralajmëruar, do të hyjnë në fuqi prej 1 prill 2023 deri më 31 mars 2024.
Mehmet GJATA
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), një ndër institucionet më të përfolura qëkur janë shpërfaqur ndikimet evidente të krizës energjetike në mirëqenien e kosovarëve të varfër, siç kishte paralajmëruar, të enjten (më 23 mars 2023) e ka konfirmuar zyrtarisht rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Dhe, sipas ZRRE-s, nuk do të jetë rritja 14 për qind siç ishte paralajmëruar më herët, por rreth 15 për qind është rritja e çmimit të energjisë elektrike për kosovarët, sipas vendimit që u mor në mbledhjen e bordit të këtij institucioni.
“Megjithatë, rritja e të hyrave do të reflektoj në ngritje të çmimeve të energjisë elektrike rreth 15% për konsumatorët fundor në vitin tarifor, të cilat do të hyjnë në fuqi prej 1 prill 2023 deri më 31 mars 2024”, thuhet në njoftim.
Pos tjerash, thuhet se janë aprovuar të hyrat e lejuara maksimale për operatorët e rregulluar si KOSTT, KEDS dhe FSHU/KESCO).
“Të hyrat e lejuara maksimale për Furnizuesin me Shërbim Universal FSHU/KESCO janë aprovuar në vlerë prej 398.40 milionë euro, për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut/KOSTT janë aprovuar në vlerë prej 59.697mililionë euro, për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes/KEDS janë aprovuar në vlerë prej 133,808 milionë euro. Këto të hyra do të u mundësojnë operatorëve kryerjen e funksioneve të operimit në kushte optimale. Me aprovimin e këtyre të hyrave, ZRRE, ndër të tjera, ka marrë në konsideratë edhe rritjen e çmimeve të importit të cilat janë jashtë kontrollit të operatorëve si dhe subvencionin që është alokuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së pas ngritjës së çmimit, që përkthehet si arsyetim për çmimet e reja të ngritura të rrymës në Kosovë.
Si arsyetim për këtë rritje të madhe të çmimit të rrymës ZRRE ka përmendur edhe gjoja remontet e planifikuara gjatë këtij viti në dy njësi të “Kosovës B”, të cilat do të zgjasin nga 90 ditë, dhe që sipas ZRE-së qenka një prej elementëve që do të ndikojnë në rritjen e çmimit të energjisë elektrike prej 15 për qind, pasi që në mungesë të prodhimit vendor, KEDS-i dhe KESCO-ja do të obligohen që boshllëkun në furnizim ta mbushin me import. Çmimi më i lartë i importit, krahasuar me prodhimin vendor, do të ketë efekt në rritjen e kostos së sistemit energjetik për furnizim me energji për konsumatorët, u tha në njoftimin e ZRRE-së. Ndërsa, arsyetim më të paqëndrueshëm dhe më absurd që ZRRE-ja ka bërë për marrjen e vendimit për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike vështirë se do të na rastisë të dëgjojmë ndonjë herë.
Praktikisht, nuk qëndrojnë asnjëri nga arsyetimet e ZRRE-së, të bëra publike tashmë disa herë në mediet kosovare. Është fare i paqëndrueshëm se çmimi i ri i ngritur po u bëka për shkakun se “janë aprovuar të hyrat e lejuara maksimale për operatorët e rregulluar si KOSTT, KEDS dhe FSHU/KESCO) dhe se këto të hyra (të hyrat e miratuara për këto subjekte janë të përfshira më lartë në këtë tekst) “do t’u mundësojnë operatorëve kryerjen e funksioneve të operimit në kushte optimale”. Sepse, të hyrat maksimale operatorët KESCO, KEDS dhe KOSTT mund t’i përcaktojë kurdoherë dhe sa të duan ato. Konsumatori kosovar asnjëherë të vetme nuk është i njoftuar deri tani se me çfarë kriteresh, dhe standardesh përcaktohen këto të hyra. Fundja, nuk duhet të ketë “barrë në shpinë” të hyrat maksimale të operatorëve, qofshin privat ata, qofshin publik dhe konsumatori nuk duhet kurrë dhe në asnjë rast të jetë subjekti që do të bartë barrën e përmbushjes së të hyrave maksimale të operatorëve.
Të hyrat maksimale të operatorëve do të duhej të përcaktohen në bazë të performancës afariste të tyre, efektshmërisë së shërbimeve dhe përshtatjes së konditave financiare të vendit ku operojnë këto subjekte. Kurrkund në botë konsumatori nuk është subjekti që përcakton të hyrat maksimale për operatorët. Nuk qëndron aspak as arsyetimi se konfirmimi zyrtar për rritjen e çmimit të energjisë elektrike (15 për qind) nga ZRRE-ja është bazuar edhe në ngritjën e çmimit të importit të energjisë elektrike.
“Komponentët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e kostos së furnizimit me energji elektrike janë çmimet e importit, edhe pse nuk janë të larta si vitin e kaluar. Mirëpo nëse e krahasojmë me 10 vjetët e fundit, kur çmimi i importit ka qenë 50-60 euro, në këta dy vjet çmimi i importit ka qenë 150 euro. Çmimi i importit për vitin e ardhshëm pritet të jetë 150 deri në 160 euro për megavat”, thuhet në arsyetimin e ZRRE-së.
Mirëpo, ZRRE arsyeton mbrapsht dhe vetëm si iu konvenon operatorëve ky çmim. Sepse, nëse ZRRE e ka bërë krahasimin e çmimit të importit në 10 vjetët e fundit, që paska qenë 50-60 euro për një megavat, ndërsa “në këta dy vjet çmimi i importit ka qenë 150 euro”, përse nuk krahason edhe çmimin që ka paguar konsumatori kosovar në dhjet vjetët e fundit ndaj distributorit, dhe çmimit që paguan aktualisht dhe që është dhjetëra fish më i lartë. Këto kalkulime shifrash janë mashtrime ordinere dhe tendencë e kamufluar për të zhvatur para nga xhepi i konsumatorëve të varfër kosovarë në llogari të shpërndarësit dhe furnizuesin me siç thuhet, shërbim universal.
Çmimi i importit të rrymës tashmë ka rënë dhe është ulur 5 fish, madje, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar. Hapini faqet e tregjeve ndërkombëtare të energjisë elektrike dhe do shihni çmimet e ulura shumëfish në to. Më 23 mars 2023, në ditën kur është konfirmuar nga ZRRE-ja çmimi i ngritur i rrymës çmimi në bursën hungareze HUPX, prej nga në shumicën e rasteve importon Kosova rrymë, çmimi i një megavati ka qenë 110 euro (krahaso këtë çmim me çmimin 500-600 dhe përtej, që vitin e kaluar gjatë sezonit të dimrit kushtonte një megavatë energji elektrike në tregjet ndërkombëtare), ndërsa dje (24 mars 2023), ky çmim ka rënë në 87 euro për një megavat, kurse sot me 25 mars, çmimi i një megavati është vetëm 30 euro, ndërsa në kohën e pikut çmimi sot do të jetë vetëm 27 euro. Dhe, kjo rënie do të thotë se aktualisht çmimi i importit është goxha më i ulët se sa KEDS dhe KESCO ia shesin konsumatorëve një megavat-orë energji elektrike.
ZRRE nuk ka marrë fare për bazë me rastin e ngritjes së sërishme të çmimit të rrymës as donacionet që ka dhënë dhe vazhdon të jap dorëshlirë shteti i Kosovës për ta siguruar rrymën e munguar nga distributori privat. Ymer Fejzullahu, kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, ka thënë për medie se “mjetet e ndara nga Qeveria, si subvencionim për energjinë elektrike për këtë vit, nuk kanë qenë të mjaftueshme për të ndalur shtrenjtimin e energjisë elektrike. Për vitin e ri tarifor, Qeveria ka ndarë rreth 35 milionë euro”.
“Kemi thënë që ato mjete, të cilat janë subvencionuar deri më datë 15 mars, janë reflektuar në të hyrat e lejuara maksimale. Po, përkundër tyre, ekziston një kosto shtesë rreth 50 milionë euro që janë të nevojshme për të reflektuar koston e sistemit për furnizim me energji elektrike”, ka thënë ai.
Asnjëherë nuk do të jenë të mjaftueshme mjetet e dhëna si donacion nga Qeveria, as për shpërndarësin, as për furnizuesin, nëse në vazhdimsi, pa ndonjë analizë paraprake të detajuar dhe pa një hulumtim meritor, ZRRE kërkon favore për ta në dëm të konsumatorëve. Operatorët, me këtë politikë zhvillimore të ZRRE-së që nesër do të kërkojnë sërish ngritje çmimesh. Ata, të vetmin synim e kanë sot e këtu rritjën e fitimit neto, pa zgjedhur edhe aq shumë mënyrat dhe rrugët e realizimit të tij. Nuk është i qëndrueshëm as arsyetimi i ZRRE-së se “remontet e planifikuara gjatë këtij viti në dy njësi të “Kosovës B”, të cilat do të zgjasin nga 90 ditë, janë një prej elementëve që do të ndikojnë në rritjen e çmimit të energjisë elektrike prej 15 për qind, pasi që në mungesë të prodhimit vendor, KEDS-i dhe KESCO-ja do të obligohen që boshllëkun në furnizim ta mbushin me import”. Sepse, dihet remontet, qofshin ato të planifikuara qofshin sosh të paparashikuara si pasojë e ndonjë defekti teknik, në termocentralet e stërvjetruara të Kosovës janë çështje të ditura dhe opinioni i ka të ditura këto probleme.
Remontet e domosdoshme të pritshme kanë qenë të njohura edhe me rastin e privatizimit të distribucionit dhe asnjëherë deri më tash nuk është thënë se remontet na qenkan një prej elementëve që do të ndikojnë në rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Dhe, po të mos mbetej detyrë e distribucionit aktual që të sigurojë rrymën e munguar me rastin e remonteve të ndonjë kapaciteti energjetik të vendit, atëherë, nuk ëshhtë shumë e qartë se çfarë obligimesh po i mbesin këtij subjekti për të bërë. Dihet, por se Kosova e varfër edhe financiarisht dhe konsumatorët e lodhur kosovarë nga ngritja e vazhdueshme e çmimeve të të gjitha produkteve, edhe të energjisë elektrike, pra, nuk do të kenë gjithnjë para të mjaftueshme për të përmbushur kërkesat e pandalshme për çmime të reja.
Korporata Energjetike e Kosovës, siç është paralajmëruar, këtyre ditëve pritët të nënshkruajë një kontratë për modernizimin e turbinave në termocentralin Kosova B. Kontrata e cila do të jetë në një vlerë prej 56.5 milionë euro do të realizohet me negocim pa publikimin e njoftimit për kontratë.
“Modernizimi i turbinave B1 dhe B2 të Termocentralit Kosova B”, kështu quhet kontrata që do të lidhet në mes të KEK-ut dhe “GE Steam Power Service France Representative Office in Kosovo Dega në Kosovë”. Në njoftimin për ‘dhënie të kontratës’ nuk është përcaktuar se sa kohë do të zgjasin punimet. Sipas përshkrimit të lëndës së kontratës punët që do të kryhen do të jenë: Modernizimi i turbinave përfshin komplet rekonstruktimin e turbinës se presionit të lartë (TPL) dhe turbinës së presionit të ulët (TPU) ndërsa turbina e presionit të mesëm (TPM) do t’i nënshtrohet riparimit të zakonshëm kapital të saj. Dhe, po të qëndronte arsyetimi i ZRRE-së se “remontet e planifikuara gjatë këtij viti në dy njësi të “Kosovës B”, janë një prej elementëve që do të ndikojnë në rritjen e çmimit të energjisë elektrike prej 15 për qind”, do të duhej të kihej parasysh kërkesa e KEK-ut për rritjen e çmimit të energjisë të cilën ai ia shet KEDS-it sot e kësaj ditë me çmimin 29.6 euro për një megavat. Kërkesa e KEK-ut, pra nuk është marrë parasysh nga ZRRE-ja.
“KEK-u duhet të negociojë në harmoni me legjislacionin në fuqi kontratën mes këtyre tre të licencuarve, se cili do të jetë çmimi do të dihet me firmosjen e kontratës së KEK-ut për periudhën njëvjeçare dhe më pas ZRRE-ja do të marrë parasysh në shqyrtimin e ardhshëm”, ka thënë Ymer Fejzullahu, kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, pasi që ZRRE ka injoruar fare kërkesën e KEK-ut për ngritjen e çmimit të rrymës së prodhuar nga termocentralet e vendit që i dedikohet KEDS-it.
Ndërsa, sa i përket shkallës së inflacionit si një prej elementëve që do të ndikojnë në rritjen e çmimit të energjisë elektrike prej 15 për qind, duhet thënë se inflacioni më shumë se KEDS-in i ka goditur konsumatorët kosovarë të energjisë elektrike. I ka goditur sidomos shtresat e varfëra, dhe ato ekstremisht të varfëra që nuk janë të pakta në Republikën tonë. Inflacioni i ka goditur shumë më shumë se subjektet e sistemit elektroenergjetik të Kosovës sidomos pensionistët, për të cilët në këto vite nuk pati asnjë rritje të vetme të pensioneve, ndërkohë që çmimi i rrymës është ngritur disa herë dhe në përqindje të ndjeshme.
Prandaj, konfirmimi nga ZRRE-ja se rritja e çmimit të energjisë elektrike prej 15 për qind që do të fuqizohet më 1 prill, është i ngutshëm fare, i pa menduar mirë dhe aspak i arsyetur. Bile, kur të kihën parasysh jo pak kërkesa të eksponentëve të shtetit dhe të disa subjekteve joqeveritare, ç’është e vërteta të rralla, del qe vendimi i ZRRE-së te jetë edhe goxha inatçor.
Siç dihet, kundër rritjes së çmimit të energjisë tashmë janë deklaruar Presidentja e vendit, Qeveria është deklaruar kundër ngritjës së çmimit të rrymës te kategoria e amvisrisë, Avokati i Popullit dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Ky i fundit, nëpërmjet një reagimi ka kërkuar nga qytetarët që ta kundërshtojnë rritjen e çmimit të rrymës. Në një reagim të këtij këshilli është theksuar se qytetarët me të drejtë janë të pakënaqur, pasi që kjo rritje do të përcillet me ngritje zinxhirore të çmimeve edhe te artikujt dhe shërbimet tjera. KMDLNJ-ja u ka bërë thirrje edhe deputetëve të Kuvendit që të kundërshtojnë shtrenjtimin e rrymës.
“Kemi pasur komente nga Qeveria e Kosovës, Zyra e Presidencës, KEK-u, KOSTT-i, KEDS-i, KESCO-ja. Fatkeqësisht nuk kemi pasur shumë komente prej partive politike. Asnjë prej partive politike nuk ka dorëzuar komente, as nga shoqëria civile. Ka qenë një sindikatë e punëtorëve të KEDS-it dhe KESCO-s që kanë kërkuar rritje të pagave të personelit që punojnë aty. Meqenëse tash janë vendosur të hyrat e lejuara maksimale, KESCO-ja, KEDS-i dhe KOSTT-i e kanë për obligim konform legjislacionit në fuqi që brenda një jave t’i dorëzojnë aplikacionet për tarifa që do të fillojnë të zbatohen nga data 1 prill”, ka thënë Ymer Fejzullahu, kryesuesi i Bordit të ZRRE-së.
Heshtjen e partive politike të Kosovës rreth ngritjes së re të çmimit të energjisë elektrike do të ishte e udhës ta shpjegojnë vetë ato. /Buletini Ekonomik/