Shtohet Projektligji për Fondin Sovran në Programin Legjislativ, së shpejti në Kuvend

Agjencia Kosovare e Privatizimit-AKP

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sonte mbledhjen në formë elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të vitit 2023.

Me këtë rast, siç ka informuar qeveria, në Programin Legjislativ të këtij viti është shtuar Projektligji për Fondin Sovran.

Mbi 1,600 asete nën administrim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit pritet të barten në Fondin Sovran.

Reklama e sponzorizuar

Zëvendëskryesuesja e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Syzana Dautaj-Surdulli gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se kjo agjenci ka bërë kategorizimin e 1.654 pronave që do të barten në Fondin Sovran.

Qeveria e Kosovës ka thënë se Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, përmirësimin e qeverisjes korporative, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe eliminimit të keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike.

Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës. Fondi do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Korporatës së Thëngjillit, PTK-së. Agjencia Kosovare e Privatizimit do të shuhet.

Ndërmarrjet nën menaxhimin e saj do t’i kalojnë në pronësi Fondit Sovran.