Nëse vërtet dëshironi të përmirësoni financat tuaja – dhe sigurinë tuaj financiare afatgjatë – do të keni një mundësi shumë më të mirë për ta bërë këtë, nëse zgjidhni vetëm dy deri në tre qëllime të vogla dhe të arritshme, që ju lejojnë të shihni përparim për 6 deri në 12 muaj.
“Gjëja më e rëndësishme është thjeshtësia. Rritje, e zbatueshme dhe e jo domosdoshmërisht e përsosur,” tha Brent Weiss, bashkëthemelues dhe drejtues i mirëqenies financiare në Facet, një firmë planifikimi financiar.
“Nuk ka të bëjë me ndryshimin e jetës suaj, por ndryshimin e disa elementëve, për të përmirësuar shëndetin tuaj financiar.”
Ilustroni situatën tuaj financiare
Përpara se të vendosni për dy ose tre detyra specifike, Weiss sugjeron të bëni një paraqitje të shpejtë për gjendjen e financave tuaja:
Sa para fitoni çdo muaj? Sa paguani? Sa po kurseni aktualisht dhe sa po shpenzoni? Sa vlejnë pasuritë tuaja? Dhe cilat janë detyrimet tuaja?
Pasi ta keni bërë këtë, shikoni pak më thellë në modelet tuaja të shpenzimeve.
Ndani se ku po shkojnë paratë tuaja dhe krijoni një kolonë “nevojat” dhe një kolonë “dëshirash”, tha Rose Niang, drejtoresha e planifikimit financiar në Edelman Financial Engines.
Pra, për shembull, pagimi i qirasë ose kredisë së shtëpisë është një nevojë kryesore. Të blesh lule për vete një herë në muaj është një dëshirë.
Këto janë disa shembuj të ndryshimeve lehtësisht të zbatueshme, që mund të dëshironi të bëni këtë vit, në varësi të prioriteteve tuaja.
Bëni një ndryshim prej 1%
Nëse rritja e kursimeve tuaja do t’ju bëjë të ndiheni më të qetë dhe më të lumtur, filloni me pak nëse paratë janë të pakta.
Edhe një rritje prej një ose dy pikë përqindjeje në vit mund të bëjë një ndryshim të dukshëm me kalimin e kohës – nëse qëllimi juaj është të rrisni kursimet për daljen në pension, shkollimin, urgjencat, parapagimin apo edhe një udhëtim.
Mbrohuni nga normat e larta në mënyra të tjera
Supozoni se normat e interesit do të mbeten aq të larta sa janë tani, ose do të shkojnë edhe më lart, pasi bankat qendrore në shumë shtete vazhdojnë të rrisin normat e tyre standarde, në një përpjekje të vazhdueshme për të shuar inflacionin.
Nëse jeni mbështetur në kartën tuaj të kreditit si fond për çdo rast, Niang paralajmëron: “Ky nuk është viti për ta bërë këtë.”
Më mirë të filloni të ndani para tani, për të ndihmuar në mbulimin e shpenzimeve tuaja afatshkurtër, nëse humbni punën tuaj ose në rast të ndonjë ngjarje të papritur.
Mbroni atë që ka më shumë rëndësi për ju
Nëse keni fëmijë të vegjël dhe dëshironi të siguroheni, që ata do të jenë të sigurt financiarisht, mund të konsideroni të shtoni çfarëdo police sigurimi të jetës që ofron punëdhënësi juaj.
Sigurohuni që portofoli juaj të jetë i larmishëm
Nëse nuk jeni një gjeni investues, që mund të parashikojë të ardhmen, do të bëni mirë të shmangni vendosjen e të gjitha parave tuaja të investimit në një shportë.
Pra, sigurohuni që portofoli juaj të mbetet i larmishëm me aksione dhe obligacione, stile të ndryshme investimi dhe sektorë të ndryshëm.
Se çfarë saktësisht duhet të jenë ndarjet do të varet nga horizonti juaj kohor dhe nga toleranca e rrezikut. Por qëllimi është të siguroni kthime pozitive dhe afatgjata në portofolin tuaj.
“Tregjet janë ciklike,” vuri në dukje Niang. “Kështu që ju diversifikoni me shpresën se kur njëra palë po performon keq, pala tjetër po performon mirë.” /CNN Business/