Konkursi për përzgjedhjen e Bordit Drejtues të Trustit pritet të shpallet javën e ardhshme

Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar sot se javën e ardhshme pritet që të shpallet konkursi i plotësuar për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti).

Sipas një komunikate për media nga BQK, komisioni për përzgjedhje të kandidatëve për anëtarë të Bordit Drejtues të FKPK-së, i përbërë nga Guvernatori i përkohshëm i BQK-së, Bashkim Nurboja (kryesues), Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, sot kanë mbajtur një takim për të diskutuar procedimin e mëtejmë për të siguruar plotësimin sa më të shpejtë të pozitave vakante të anëtarëve të Bordit Drejtues të Trustit.

Në bazë të njoftimit, ky konkurs do të asistohet me mbikëqyrje edhe nga Ambasada Britanike, sipas projektit të asistencës teknike të kësaj Ambasade për rekrutimet në pozitat e larta publike në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

“Duke vlerësuar se në konkursin e fundit të shpallur për këto pozita, kishte mangësi në kërkimin e informacioneve të nevojshme për të siguruar një vlerësim dhe verifikim objektiv të kandidatëve brenda një periudhe të arsyeshme kohore, Komisioni unanimisht vendosi që ky konkurs të rishpallet me plotësimet e nevojshme”, thuhet tutje në komunikatën për shtyp nga BQK. /Buletini Ekonomik/