A ka konkurrencë të mjaftueshme bankare në Kosovë?

Mehmet Gjata

Sistemi bankar i Kosovës, që nga paslufta, si në qarqet ekonomike-financiare, ashtu edhe në ato afariste dhe biznesore, thuaja vazhdimisht është vlerësuar stabil dhe likuid. Në të gjitha vitet nga 2000-shi e këtej, bankat komerciale në Kosovë kanë përmbyllë bilancet e tyre me fitime neto jo të vogla, dhe gjithnjë duke u rritur nga viti në vit. Shtrohet pyetja, si po arrijnë bankat e Kosovës gjithë këtë fitim dhe gjithë këtë qarkullim parash? A ka ndikim në gjithë këtë profit që është, siç vlerësohet, edhe rrjedhoja e çmimeve të larta të produkteve bankare nga mungesa e konkurrencës bankare, aq të domosdoshme dhe të aplikueshme si domosdoshmëri kudo në shtetet e konsoliduara të botës?

Mehmet GJATA

Sistemi bankar i Kosovës, që nga paslufta, si në qarqet ekonomike-financiare, ashtu edhe në ato afariste dhe biznesore, thuaja vazhdimisht është vlerësuar si i suksesshëm, me stabilitet të imponueshëm dhe me fitime përtej çdo parashikimi, madje edhe fitime enorme për rrethanat ekonomike –financiare të Kosovës së varfër. Thënë shkurt, ky sektor vazhdimisht është cilësuar stabil dhe likuid.

Në të gjitha vitet nga 2000-shi e këtej, bankat komerciale në Kosovë kanë përmbyllë bilancet e tyre me fitime neto jo të vogla, dhe gjithnjë duke u rritur nga viti në vit. Gjatë vitit 2022, të 11 bankat komerciale të Kosovës e përbyllën vitin me fitim neto prej 140.3 milionë euro, që është vlera më e lartë e fitimit e realizuar që nga themelimi i sektorit bankar. Kështu thuhet në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) “Vlerësimi tremujor i ekonomisë”, që e ka transmetuar Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

“Gjithsej të hyrat arritën vlerën prej 370.4 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 15.0 përqind (15.4 përqind një vit më parë). Në rritjen e të hyrave kontributin kryesor kishin të hyrat nga interesi, që përfaqësojnë 71.1 përqind të gjithsej të hyrave. Në kuadër të të hyrave nga interesi, arkëtimet nga interesi në kredi kontribuuan kryesisht në këtë rritje, kategori e ndikuar prej rritjes së theksuar të kreditimit. Për më tepër, këtë vit, të hyrat nga interesi prej plasmanëve në bankat tjera dhe nga investimet në letra me vlerë janë rritur theksueshëm krahasuar me rënien me vitin paraprak”, thuhet në raport.

Ndërsa, kategoria e të hyrave nga jo interesi, kryesisht nga tarifat dhe komisionet, shënoi rritje shumë më të ngadalësuar krahasuar me një vit më parë, 8.0 përqind nga 31.0 përqind sa ishte deri në dhjetor 2021, dhe arritën vlerën prej 92.7 milionë euro. Shtrohet pyetja, si po arrijnë bankat e Kosovës gjithë këtë fitim dhe gjithë këtë qarkullim parash? A ka ndikim në gjithë këtë profit monopolizimi i tregut bankar të vendit nga bankat eksistuese, përkatësisht mungesa e konkurrencës bankare, aq e domosdoshme dhe e aplikueshme si domosdoshmëri kudo në shtetet e konsoliduara të botës.

Më konkretisht, a ka komkurrencë bakare në Kosovë dhe çfarë thonë ekspertë dhe njohësit e zhvillimeve bankare në vend rreth kësaj çështjeje?

Milazim Abazi, ish-drejtor i Dardania Bankës dhe njohës i vlerësuar i sistemit bankar të vendit, thotë se kurrë nuk mund të ketë konkurencë të mjaftueshme. Sipas tij, sa më shumë operatorë bankarë, aq më mirë për qytetarët, aq më shumë zgjidhje kanë.

“Sa më shumë konkurrencë, shërbimet janë më të mira e çmimet më të lira”, thotë Abazi për Buletinin Ekonomik.

Ai ka thënë se çmimet e shërbimeve bankare caktohen nëpërmes konkurencës, dhe nëse dëshirojmë çmime më të lira, duhet të rritet konkurenca bankare, që do të thotë BQK-ja duhet të licencojë operatorë bankarë të rinj në treg.

“Në Kosovë ka prezencë të mirë bankare dhe konkurrencë të konsiderueshme si nga bankat vendore ashtu edhe nga bankat e huaja, apo banka me kapital të huaj. Mirëpo, në Kosovë, sot e kësaj dite, përkundër ekzistimit të 11 bankave komerciale, nuk është asnjë bankë e fuqishme evropiane apo amerikane. Nuk është prezente asnjë nga 20 bankat e mëdha botërore. BQK duhet të inkurajojë tash të vijnë edhe ndonjëra nga bankat më të fuqishme ndërkombëtare, të cilat do të ishin në gjendje t’i përkrahnin investimet e mëdha që priten në infrastrukturën energjetike dhe hekurudhore të Kosovës. Bankat ekzistuese në Kosovë nuk kanë potencial për të financuar projekte të mëdha infrastrukturore”, ka thënë Abazi për Buletinin Ekonomik duke u përgjigjur në interesimin se numri aktual i bankave, 11 sosh sa janë të licencuara dhe që operojnë këtu, a janë të mjaftueshme për të pasur një konkurrencë solide bankare dhe realisht të sigurohen çmime më të lira për produktet bankare.

Edhe Safet Gërxhaliu, njohës i zhvillimeve ekonomike, thotë se Kosova ka nevojë ta ketë një bankë të fuqishme, e cila do të ishte në gjendje të financojë projekte atraktive prodhuese dhe të infrastrukturës, qofshin ato edhe të kushtueshme.

Nga mungesa e konkurrencës së mjaftueshme bankare në Kosovë, a ekziston rreziku që ndonjëra nga bankat të favorizohet në një mënyrë apo tjetër, nga institucionet mbikëqyrëse dhe nga vet BQK-ja deri në përmasa të ndonjë monopoli eventual të krijuar nga ndonjëra nga bankat që operojnë në Republikën tonë?

Milazim Abazi rreth kësaj çështjeje thotë se me vet faktin se bankat në Kosovë janë bizneset me fitimprurërse, lë të kuptohet se licencimi i opertorëve të rinj bankar është i mirëseardhur.

“Konkurrenca e fortë në treg gjithmonë ndikon ne uljen e çmimeve dhe përmirësimin e cilësisë dhe gamës së shërbimeve”, thekson ai.

Abazi thotë se mungesa e konkurrencës në këtë sektor, ka bërë që kapitali i huaj të jetë i qëndrueshëm dhe fitimprurës. Ndërsa rreth ngurrimit të BQK-së për të licencuar banka të reja, që do të shkonte në favor të krijimit të konkurrencës bankare më të imponueshme dhe që klientët të kenë mundësi t’i zgjedhin bankat me shërbime më të lira, eksperti për çështje financiare, Milazim Abazi ka theksuar se në Kosovë tash veprojnë 11 banka komerciale dhe asnjëra prej tyre nuk e tejkalon 20 përqindëshin e pjesëmarrjes në tregun bankar. Nisur nga kjo, sipas tij, nuk ka rrezik që në Kosovë të ketë monopol bankar apo dikush nga bankat të favorizohet në treg nga BQK.

“Monopol mund të paraqitet nëse ndonjëra nga bankat zotëron 40 për qind e më tepër të tregut bankar. Kjo nuk ka ndodhur dhe as mund të ndodhë në Kosovë. Ky problem është tejkaluar në Republikën tonë që në fund të vitit 2001 ku pas licncimit të MEB Bankës, u licencuan edhe 6 banka të tjera dhe u evitua monopoli i bankës së parë”.

Abazi thotë se ai nuk ka njohuri se ndonjë bankë ka shprehur interesim tash të vijë në Kosovë, duke shtuar se beson që bankat e mira gjithmonë do të jenë të mirësardhura në tregun e Kosovës dhe BQK nuk do të ketë arsye për t’i refuzuar.

Mirëpo, ekspertë të tjerë për çështje financiare, që preferojnë anonimitetin, kanë shprehur dyshimin se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në vazhdimësi ka favorizuar licencimin e bankave ndërkombëtare. Sipas tyre, konkurrenca jo e mjaftueshme bankare në Kosovë, ka ndikim jo të paktë në interesat e larta bankare. Shpjegimet e tjera, gjoja për rriskun e madh etj., thonë ata, janë fare të paqëndrueshme, sepse kreditë e këqija në Kosovë janë në nivel të ulët, thuaja të papërfillshme.

Sidoqoftë, kur të kihet parasysh numri prej 11 bankash komerciale, sa aktualisht ndodhen në Republikën tonë, domosdo që në të parë ky numër imponohet si goxha bindës për ekzistencën e konkurrencës bankare. Por, shumë njohës të zhvillimeve dhe të afarizmit të bankave, theksojnë se konkurrenca bankare nuk është thjesht çështje numrash.

Prof. Dr. Elvin Meka, një njohës i konkurrencës bankare në një analizë të tij ka thënë se konkurrenca bankare ka të bëjë me atë se sa cilësor apo i dobët është shërbimi bankar për klientët; sa vlerë të shtuar merr ai/ajo për njësi të kostos; sa i lejon bankat më të mëdha ekonomia e shkallës që të ofrojnë më shumë shërbime me çmime më të ulëta; sa i qëndrueshëm është sistemi financiar kombëtar; sa e madhe është fuqia e tregut e bankave për të detyruar pagesa më të larta nga klientët për shërbimet e ofruara, sa efektive janë masat rregullatore nga autoritetet përkatëse, për të dekurajuar sjellje të papërshtatshme antikonkurrencë etj.

Sipas profesor Mekës, sigurisht që është shumë e qartë se një mjedis bankar konkurrues është i dobishëm për të gjithë, për shkak të trysnisë së tij ndaj çmimeve, pasi ajo ulë veçanërisht normat e huas për huamarrësit dhe rritë normat e depozitave për depozituesit, duke rritur kështu kursimet dhe investimet, pra zhvillon sektorin privat, rritë akumulimin e kapitalit, mirëqenien individuale dhe zhvillimin ekonomik.

Megjithatë, numri i bankave në tregun financiar të një vendi nuk ka shumë rëndësi, sa i përket konkurrencës brenda sektorit bankar, pasi një numër i madh bankash nuk nënkupton domosdoshmërisht një konkurrencë më të fortë, ose anasjelltas, konkurrenca më e dobët nuk shoqërohet patjetër me një numër më të vogël bankash. /Buletini Ekonomik/