Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar kufijtë e të çmimit për Tregun e Ditës në Avancë në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike, duke përcaktuar se kufiri maksimal do të jetë 900 Euro/ mWh, ndërsa ai minimal, 0 Euro/mWh.
Në vendim, argumentohet se miratimi i këtyre kufijve nga ERE është një mekanizëm i rëndësishëm, i cili mbron tregun e energjisë elektrike nga çmime të cilat çojnë në deformime të panevojshme për arsye se ky treg është ende i pamaturuar. Këto kufij do të shërbejnë për një periudhë tranzitore deri sa të vlerësohet se tregu i organizuar me shumicë i energjisë elektrike është stabilizuar.
Ndërkohë që, meqenëse Bursa e Energjisë Elektrike momentalisht është funksionale vetëm në zonën e ofertimit në Shqipëri, këto kufij do të shërbejnë vetëm për këtë zonë dhe jo për bashkimin e tregjeve ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Në momentin që kjo bursë do të bëhet operacionale edhe për zonën e ofertimit të Kosovës dhe shoqëria ALPEX, do të vlerësojë nëse këto kufij do të jenë ende të nevojshëm, do të paraqesë për miratim kufijtë edhe për zonën e bashkimit të të tregjeve, të cilët do të jenë objekt i miratimit nga autoritetet rregullatore të të dyja vendeve.
Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike zhvilloi ankandin e parë në datën 11 prill të këtij viti, me pjesëmarrjen e kompanive publike të energjisë. Ndërkohë që, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, por edhe ekspertët në Shqipëri kanë theksuar nevojën e pjesëmarrjes së operatorëve private, për të garantuar rolin që ky instrument ka. /Scan tv/