Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë deklaruar se Udhërrëfyesi për energjinë, është përmbushur pjesërisht, por ka dështuar të zbatohet për periudhën 100-ditëshe, ashtu siç ishin pajtuar palët negociuese në Bruksel.
Kompania serbe “Elektrosever”, nuk ka filluar ende me faturimin. Zyrtarë të kësaj kompanie nuk kanë pranuar të përgjigjen lidhur me këtë çështje. RTK ka marrë vesh se nga kjo kompani janë në pritje të një përgjigje nga Beogradi pasi sipas tyre “gjithçka varet nga takimet në Bruksel në kuadër të dialogut”.
Në një përgjigje me shkrim, Zyra e Rregullatorit tregon se cilat obligime është dashur t’i zbatojë ndërmarrja “Drustvo Elektrosever”, e cila është licencuar për furnizim me energji elektrike për periudhën pesë vjeçare.
“Në mes KOSTT dhe Elektrosever janë nënshkruar; Marrëveshja Kornizë për Aderim në Rregullat e Tregut, Marrëveshja mbi detyrimet e Balancimit, si dhe është marrë kodi i identifikimit të Energjisë (EIC) për të kryer aktivitetet e parashikuara nga Licenca për Furnizim. Në proces janë marrëveshjet komerciale me KEDS për Ofrimin e Shërbimeve në katër komunat veriore, si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me ofrimin e qasjes ne nënstacionin e Vallaqit dhe në infrastrukturën e transmetimit (KOSTT) dhe shpërndarjes (KEDS)”, kjo është përgjigja nga ZRRE.
Zyrtarët e KOSST-it dhe as të KEDS-it nuk i janë përgjigjur thirrjeve të RTK-së për të treguar se ku ka mbetur procesi i funksionalizimit të “Elektroseverit” në veri.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha të hënën se palët kanë përmbushur vetëm pjesërisht detyrimet e tyre në lidhje me Udhërrëfyesin e Zbatimit të Marrëveshjeve të Energjisë.
Marrëveshja për energjinë Kosova dhe Serbia i kanë nënshkruar në vitin 2013 dhe 2015, por pala serbe edhe pas marrëveshjeve është bërë pengesë e zbatimit të tyre. Në qershor të viti të kaluar palët u pajtuan rreth një udhërrëfyes 9 pikësh, mbi bazën e të cilit duhet të zbatohen marrëveshjet e arritura për një periudhë 100 ditëshe, por edhe pas 10 muajsh, Qeveria serbe është bërë pengesë për të nisur inkasimi në veri.