Për projektin e magjistrales Prishtinë-Pejë, pjesës së mbetur nga Kijeva deri në Zahaq, siç dihet, ishin siguruar mjetet e nevojshme nga BERZH-i, ishte caktuar traseja e re dhe vetëm pritej që të fillojnë punët. Por, tani për këtë projekt, zyrtarët aktual thonë se projekti nuk do të ndërtohet në trasenë e re të parashikuar nga Qeveria paraprake, dhe herë thuhet se ky projekt ndoshta do të ndërtohet nëpër trasen ekzistuese, ose pjesërisht në atë ekzistuese, ndërsa tash së fundi, autoritetet e Kosovës kanë theksuar se projekti i rrugës Prishtinë-Pejë ka ndryshuar nga ai që ka qenë, pasi sipas tyre “ai fillestar ka qenë me devijime të shumta”.
Mehmet GJATA
Veç stërzgjatjes së pakuptimtë të zgjërimit dhe rindërtimit të rrugëve nacionale Prishtinë- Podujevë dhe asaj Prishtinë- Mitrovicë, një tjetër magjistrale, pokështu, është bërë problem, po kështu, i madh, tashmë edhe goxha i koklavitur. Eshtë fjala për pjesën e mbetur të magjistrales Prishtinë – Pejë, vazhdimin e zgjërimit dhe modernizimit të sajë. Edhe zgjërimi dhe rindërtimi i kësaj rruge ka nisur shumë moti, ndërsa para rreth dy vjetësh, ndërtimi dhe zgjërimi i pjesës së mbetur të paprekur të kësaj magjistrale, nga Kijeva në Zahaq të Pejës, fare në hyrje të Pejës, që më herët diskutohej nga zyrtarët thuaja si një projekt i realizuar, ka mbetur në mëshirën e fatit, ose të tekave të autoriteteve vendimmarrëse të Republikës, më saktësisht të zyrtarëve të ministrisë së Infrastrukturës.
Siç dihet, për këtë projekt ishin siguruar mjetet e nevojshme nga BERZH-i, ishte caktuar traseja e re dhe vetëm prisnin që të fillojnë punët. Por, tani për këtë projekt, zyrtarët aktual kompetentë, deklarohen thuaja se projekti “është i parealizueshëm”. Herë zyrtarët thonë se projekti nuk do të ndërtohet në trasenë e re të parashikuar nga Qeveria paraprake, herë thuhet se ky projekt ndoshta do të ndërtohet nëpër trasenë ekzistuese, ose pjesërisht ekzistuese, ndërsa tash së fundi, autoritetet e Kosovës kanë theksuar se projekti i rrugës Prishtinë-Pejë ka ndryshuar nga ai që ka qenë, pasi sipas tyre “ai fillestar ka qenë me devijime të shumta”.
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, gjatë një diskutimi në Kuvendin e Kosovës, kohë më parë ka thënë se projekti aktual i magjistrales Prishtinë-Pejë ka probleme të mëdha në shpronësime, duke shtuar madje se “janë në diskutim për rishikim të projektit”.
“Për magjistralen për Pejë, siç e dini, projekti aktual me BERZH-in, ka pasur probleme të mëdha në shpronësime dhe me shumëfishim të çmimit. Jemi në rishikim të projektit dhe do të fillojmë me projektin e ri, i cili do të ketë trase tjetër. Ose do të ketë zgjerim të rrugës ekzistuese ose do të jetë trase tjetër, më e mundshmja është se do të janë te dyja”, pati thënë Aliu.
Por, në asnjë paraqitje publike të këtyre viteve nuk është saktësuar ndonjë datë, as afat se kur do të bëhen këto punë rreth projekteve të reja, nëse do të ndodhin ato. Në tetor të vitit 2021 (28 tetor 2021), ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Liburn Aliu ka thënë se autostrada Prishtinë – Pejë do të vazhdoj, por se do të ndalen keqpërdorimet rreth shpronësimeve në këtë projekt.
Ai me anë të një shkrimi në Facebook, pati njoftuar se “është anuluar vetëm shpronësimi abuziv i cili kthehet në rivlerësim”. “Projekti i autostradës për Pejë nuk ndalet. Ndalet vetëm hajnia dhe keqpërdorimet e parasë publike në shpronësim. Pra, është anuluar vetëm shpronësimi abuziv i cili kthehet në rivlerësim. Nuk është ndaluar projekti. Po ashtu, në vitin që vjen, është përfshirë në buxhet hartimi i projektit për modernizimin e hekurudhës, Pejë – Prishtinë dhe Klinë – Prizren. Rruga Prizren-Tetovë nuk është konkurente e rrugës Prishtinë-Pejë. Na duhen të dyja dhe do të bëhen të dyja, por pa vjedhje dhe keqpërdorime fondesh. Në emër të asfaltit nuk do të vjedhë më askush, dhe çdo vjedhje që evidentojmë edhe nga projektet e kaluara, do ta ndjekim me seriozitetin maksimal duke e dërguar çështjen në prokurori. Kosova do të ketë njëkohësisht infrastrukturë moderne, dhe mirëadministrim të buxhetit për rrugët”, kishte shkruar atëbotë Aliu.
Ndërsa Qeveria e Kosovës në një nga mbledhjet e sajë kishte marr vendim për të anuluar “shpronësimet e pronave të cilat prekën nga realizimi i autostradës Prishtinë-Pejë”.
Kurse, ministri i Financave, Hekuran Murati kishte njoftuar se raporti i auditorit ka gjetur shkelje të shumta në vendim. Qeveria në reagimin e bërë për media pati saktësuar se bëhet fjalë për shpërputhjen prej mbi 12 milionë eurove. Siç dihet, në vitin 2019, Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim për shpronësimin e pronave të paluajtshme për ndërtimin e kësaj autostrade. Në ndërkohë, ose më saktësisht në korrik të vitit të kaluar (7 korrik 2022), ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se projekti aktual i magjistrale Prishtinë-Pejë ka probleme të mëdha në shpronësime. Aliu gjatë një diskutimi në Kuvendin e Kosovës theksoi se janë në diskutim për rishikim të projektit.
“Për magjistralen për Pejë, siç e dini projekti aktual me BERZH-in, ka pasur probleme të mëdha në shpronësime dhe me shumëfishim të çmimit. Jemi në rishikim të projektit dhe do të fillojmë me projektin e ri i cili do të ketë trase tjetër. Ose do të ketë zgjerim të rrugës ekzistuese ose do të jetë trase tjetër, më e mundshmja është se do të janë te dyja”, kishte deklaruar Aliu gjatë diskutimit të tij në Kuvendin e Kosovës. Ai, me këtë rast, ka folur edhe për Autostradën e Dukagjinit, ku është shprehur se nuk ka pasur studim të mirëfilltë të fizibilitetit dhe se ekziston vetëm projekti me shpronësimet. “Në lidhje me Autostradën e Dukagjinit, kjo nuk ka pas as studim të mirëfilltë të fizibilitetit, pra ka pasur vetëm projekt dhe shpronësime. Në pjesën ku janë projektet jemi duke vazhduar me punimet, përfshirë edhe qarkoret e qytetit. Për sa i përket autostradës duhet të fillohet me një projekt të fizibilitetit e të shihet a është fizibël apo jo”, ishte shprehur ai.
Sidoqoftë, edhe pse ka kaluar një periudhë goxha e gjatë kohore qëkur janë ndërprerë punët për zgjërimin e rrugës nacionale Prishtinë-Pejë dhe tashmë janë bërë mdi dy vjet qëkur është në pushtet Qeveria Kurti 2, praktikisht nuk ka ndonjë njoftim publik se është bërë ndonjë veprim apo punë për t’ia nisur, ose për t’u përgatitur për të filluar projektin e zgjërimit të kësaj rrugë nga Kijeva-deri në Pejë…. Ditë më parë,më saktësisht me 30 mars 2023, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, në një farë mënyre ka paraqitur detaje të reja për projektet infrastrukturore Prishtinë-Pejë dhe autostradën Prishtinë-Gjilan.
Aliu, kësasj radhe tha se projekti i rrugës Prishtinë-Pejë ka ndryshuar nga ai që ka qenë, pasi sipas tij “ai fillestar ka qenë me devijime të shumta”. “Do të kemi së shpejti detaje se deri ku ka kanë avancuar për projekte të reja që jemi në zhvillim e sipër gjatë këtyre muajve derisa të fillojë sezoni i ndërtimit, në mënyrë që të kryhen të gjitha procedurat e prokurimit. Për të dyja projektet jemi në procedurë të prokurimit, gjithçka është duke shkuar në rregull dhe sipas kohës”,tha Aliu. Por, ministri Aliu nuk e saktësoi as me këtë rast kohën, ndonjë afat, ose datë të caktuar kur do të dihen detajet e reja për projektin infrastrukturor, rrugën nacionale Prishtinë-Pejë, të nisur para shumë vitesh. Nuk saktësoi ministri as kur do të përfundojnë procedurat e prokurimit për pjesën e mbetur të kësaj magjistraleje, pos që tha si gjithnjë deri më tash për të gjitha projektet se “jemi në zhvillim e sipër gjatë këtyre muajve derisa të fillojë sezoni i ndërtimit, në mënyrë që të kryhen të gjitha procedurat e prokurimit”.
Ndërsa, këta muaj siç po dihet dhe siç po shihet nuk kanë të sosur. Pjesa e magjistrales Prishinë-Pejë, nga Kijeva deri në Zahaq, nuk po nis së ndërtuari as në trasenë ekzistuese as në atë që ishte përcaktuar nga Qeveria paraprake si trase fare e re, por as në trasenë “e ndryshuar’ siç ka paralajmëruar ministri Aliu. Tani nuk dihet as për fatin e parave të zotuara nga BERZH-i, për ndërtimin e pjesës së mbetur të magjistrales, ndërsa dihet që BREZH-i dhe të gjitha institucionet e tjera monetare ndërkombëtare kanë një afat për pritje, sikundër që dihet se këto institucione nuk e kanë pafundësisht afatin e pritjës për shfrytëzimin e parave të dedikuara për ndonjë projekt, kudo qoftë në botë. /Buletini Ekonomik/