Hoti: Ndryshimi i Ligjit të Tatimit në Pronë do të ndikojë negativisht në të hyrat vetanake të komunave

Avdullah Hoti-deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka thënë se ndryshimi i Ligjit të Tatimit në Pronë do të ndikoj negativisht në të hyrat vetanake të komunave.

Hoti me anë të një reagimi në Facebook, shprehet se ky ndryshim do t’i trefishoj normat e tatimit në pronë për prona me vlera të mëdha.

“Si i tillë, ky projektligj do të ketë ndikim negativ në të hyrat vetanake të komunave. Do t’i trefishoj normat e tatimit në pronë për prona me vlera të mëdha. Do të vendosë tatimin në parcelat e punuar që me ligjin paraprak ishin të liruara për të nxitur punimin e tokës”, shkruan Hoti.

Reklama e sponzorizuar

Ish-kryeministri i Kosovës thekson se mungesa e seriozitetit dhe profesionalizmit të qeverisë është një dëm i madh për ekonominë.

“Kjo qasje është tepër e keqe. Një ndryshim kaq i madh po bëhet pa asnjë konsultim me komunat dhe bizneset, të cilat do të ndikohen negativisht jashtëzakonisht shumë. Kjo qasje ad-hoc tregon mungesën e seriozitetit dhe profesionalizmit në qeverisje. Dëm i madh për ekonominë”, shton ai.

“Këta qeveritarë sikur me qenë të interesuar të shkatërrojnë çdo gjë, e jo të ndërtojnë mbi atë që është ndërtuar deri më tani dhe të përmirësojnë lëshimet e të kaluarës”, përfundon Hoti. /Telegrafi/