Inflacioni në eurozonë u ngadalësua më shumë se sa pritej në mars, por çmimet e ushqimeve u rritën edhe pse kostot e energjisë u lehtësuan, treguan të dhënat zyrtare të premten.
Çmimet e konsumit u rritën me 6.9 % me bazë vjetore, nga 8.5 % në shkurt, sipas agjencisë së statistikave të Bashkimit Europian.
Analistët për Bloomberg dhe firmën e të dhënave financiare FactSet kishin parashikuar që norma e inflacionit të arrinte në 7.1 % në zonën e monedhës së përbashkët 20-vendesh në mars.
Çmimet e energjisë ranë me 0.9 % pasi u rritën me 13.7 % në shkurt, sipas Eurostat.
Pushtimi rus i Ukrainës bëri që çmimet e naftës dhe gazit të rriten vitin e kaluar, por ato janë bërë më të qëndrueshme muajt e fundit, të ndihmuar edhe nga moti i butë.
Çmimet e ushqimeve dhe pijeve u rritën megjithatë me 15.4 % në mars, krahasuar me 15 % në muajin e kaluar, shtoi ai.
Pavarësisht rënies nga kulmi prej 10.6 % në tetor, inflacioni i eurozonës mbetet ende shumë mbi objektivin prej 2 % të Bankës Qendrore Europiane.
BQE ka rritur normat e interesit në mënyrë të përsëritur për të zbutur inflacionin e nxehtë, por madhësia e rritjes së ardhshme të normës është e paqartë pas turbulencave të fundit në sektorin bankar. /Scan tv/