Kompania të cilës Qeveria Kurti ia hoqi statusin e investitorit strategjik në një mbledhje që u mbajtë në orët e vona të së mërkurës, ka njoftuar se s’do të investojë më në Kosovë. Për dështimin e këtij investimi, Bordi i MLK Mining LL.C ia ka bërë me dije Kurtit se do ta njoftojnë Komisionin Evropian, Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe përfaqësuesit e administratës amerikane. Në reagimin e kompanisë thuhet se me këtë vendim, Kosova humbi investime miliona dollarëshe, potencialin për qindra vende të reja pune, por edhe kredibilitetin e saj ndërkombëtar.
Qeveria Kurti e ka shfuqizuar të mërkurën vendimin përmes së cilit konfirmohej vullneti i Qeverisë për t’ia proceduar Kuvendit vendimin për dhënien e statusit të Investitorit Strategjik subjektit investues “Moxico Luma Kosova Mining L.L.C”, një ditë para se t’i dërgohej për votim Kuvendit.
Në këtë vendim të nënshkruar nga Kurti, thuhet se vendimi është shfuqizuar “për shkak të rrethanave të reja të konstatuara nga Komisioni, të cilat cenojnë interesin publik dhe bien ndesh me legjislacionin e aplikueshëm për investimet strategjike, si dhe me atë për miniera dhe minerale”.
Për këtë veprim të Qeverisë, Bordi i MLK Mining LL.C ka dalë sot me një reagim të gjatë, përmes së cilit kanë njoftuar se s’do të investojnë më në Kosovë, duke renditur edhe disa arsye.
“Pas shqyrtimit dhe vlerësimit të kujdesshëm, me keqardhje të thellë, ne kemi vendosur të mos ndjekim asnjë investim të mëtejshëm në Kosovë. Përderisa ne besojmë se Kosova duhet të realizojë potencialin e saj investues, veprimet që janë drejtuar kundër kompanisë sonë dëshmojnë se institucionet e saj nuk mund të ofrojnë hapësirë transparente, të qëndrueshme dhe të drejtë për realizimin e investimeve të huaja. Prania e mëtejshme në këtë vend nuk do të përputhej me vlerat tona thelbësore dhe nuk do t’i shërbente interesit më të mirë të palëve tona të interesit”, thuhet në reagim.
Sipas tyre, Kosova humbi investime miliona dollarëshe, potencialin për hapjen e qindra vendeve të reja të punës, si dhe kredibilitetin e saj ndërkombëtar dhe shanset për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, me shfuqizimin e atij vendimi.
“Vendimi është marrë pa konsultim me Kompaninë, pa respekt për kompaninë apo palët e saj të interesit. Me anulimin e statusit të MLK-së, qeveria po kufizon rritjen dhe suksesin potencial të sektorit minerar të Kosovës, gjë që do të ketë pasoja të rënda ekonomike dhe sociale. Jo vetëm Kosova humbi investime miliona dollarëshe, dhe potencialin për qindra hapje të reja të vendeve të punës, por edhe kredibilitetin e saj ndërkombëtar dhe shanset për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”.
Bordi ia ka bërë me dije Qeverisë se do ta njoftojnë Komisionin Evropian, Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe përfaqësuesit e administratës amerikane, për dështimin e këtij procesi investues.
Veprimet tjera thuhet se do t’i koordinojnë përfaqësuesit ligjorë të investitorëve.
“Është obligim që të njoftojmë Komisionin Evropian, Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe përfaqësuesit e administratës amerikane për dështimin e procesit investues dhe paaftësinë institucionale në atë vend. Përfaqësuesit ligjorë të investitorëve do të koordinojnë veprimet e mëtejshme për këtë çështje”, thuhet tutje në reagim.
Ndryshe, Ish-Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, i ka thënë Gazetës Express se arsyeja e shfuqizimit të këtij vendimi mosmarrëveshjet e brendshme mes pushtetit.
Sipas tij, Prokuroria duhet ta hetojë këtë çështje.
“Pikësynimi i kësaj është që këta i kanë mosmarrëveshjet e veta të brendshme dhe pikërisht nga Komisioni Parlamentar, nga Armned Muja, nga ai supermeni i gjithëdijshëm, nga ai kanë fillu këto gjëra dhe të gjithë investitorët strategjik janë duke i prapësu. Këtu me të vërtetë e kisha ftu Prokurorinë që me hetu këtë rast se si mirret vendimi dhe shfuqizohet, këtu me të vërtët lë vend për dyshim”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Qeverisë Kurti, duke thënë se po i largon investitorët.
“Është për keqardhje se si kjo Qeveri e amaterave, vendimet të cilat i nxjerrin vetë, çohen në gjysmë të natës edhe thirrin mbledhje me të vetmin rend dite për shfuqizim të vendimit të tyre, ata prej të cilëve shpeshherë dëgjojmë deklarata për zhvillim ekonomik e që janë të thirrun në statistika marramendëse e në realitet i pengojnë investitorët strategjikë, investitorë që kanë shpreh gatishmëri me ardh me investu në vendin tonë. Kjo është skandaloze me një fjalë”, ka thënë Krasniqi.