Kroacia përjeton rritjen më të lartë të çmimit të pasurive të paluajtshme në Bashkimin Europian

Rritja e vazhdueshme e çmimeve të pasurive të paluajtshme në Kroaci është një tendencë e njohur që vazhdon prej vitesh.

Megjithatë, të dhënat e fundit nga Eurostat zbulojnë se në tremujorin e fundit të 2022, çmimet e shtëpive dhe apartamenteve të blera në Kroaci u rritën me 17.3%, norma më e lartë në Bashkimin Europian.

Kjo shënon një përshpejtim të rëndësishëm, në rritjen tashmë të fuqishme të tregut kroat të pasurive të paluajtshme, i cili ishte rritur me 14.8% tremujorin e mëparshëm.

Reklama e sponzorizuar

Ky trend është në kontrast me pjesën tjetër të Europës, ku në tremujorin e fundit u pa një prirje rënëse, me ritme rritjeje që ranë nga 7.3% në tremujorin e tretë në 3.6% në tre muajt e fundit.

Përveç Kroacisë, shtatë vende të tjera vazhduan të kenë rritje dyshifrore të çmimeve të pasurive të paluajtshme. Estonia (16.9%) dhe Hungaria (16.5%) shënuan rritjet më të larta. Në të kundërt, Danimarka, Suedia, Gjermania dhe Finlanda pësuan rënie të çmimeve.

Faktorët që kontribuojnë në rritjen e çmimeve në Kroaci përfshijnë kushtet e favorshme të kreditimit, masat e Agjencisë Shtetërore të Pasurive të Paluajtshme (state-owned Real Estate Agency, APN), subvencionet e kredisë shtetërore për strehim, dhe rritjen e të ardhurave nga turizmi.

Për më tepër, periudha para hyrjes së Kroacisë në Eurozonë dhe Shengen, ishte inkurajuese për të huajt, të cilët blenë shtëpi dhe apartamente në Kroaci me një numër edhe më të madh.

Pavarësisht trendit pozitiv, priten ndryshime në treg, pasi kreditë bëhen më të shtrenjta, rritet risku i normave të interesit dhe qeveria përfundon subvencionimin e kredive, që kanë qenë në fuqi që nga viti 2017. Analistët presin, që së shpejti të ketë ndryshime në treg.

Tendencat negative

“Nuk kemi parë ende ndonjë tendencë negative falë raundit të ri të APN-së (uljes së kredisë për banesa nga qeveria) dhe rritjes së ngadaltë të normave të interesit, por tashmë në fund të vitit të kaluar kemi parë një rënie të ndjeshme të trafikut”, tha një analist.

Edhe pse çmimet e pasurive të paluajtshme në shumë vende të zhvilluara tashmë kanë rënë, ky trend nuk ka përfunduar ende. Nga SHBA në Zelandën e Re, shitjet e shtëpive po bien, pasi bankat qendrore po shtrëngojnë politikën monetare.

Nga nivelet rekord, çmimet tashmë kanë rënë 14% në Suedi dhe Zelandën e Re, 9% në Australi dhe Goldman Sachs parashikon, se ato do të arrijnë në 19% në Zelandën e Re, 17% në Suedi dhe 15% në Australi.

Në SHBA, pritet një rënie prej 10% nga niveli rekord, ku tashmë është arritur 5%. Cikli nuk ka përfunduar as në Britani, ku çmimet ranë me 5%, ndërsa në Francë parashikohet një rënie prej 4%.

Normat e larta të interesit, mund të ndërlikojnë më tepër situatën financiare të shumë njerëzve, që kanë kushte të ndryshueshme kredie, por edhe të ulin interesin për të blerë shtëpi dhe apartamente.

Dobësitë në sektor

Bordi Europian i Riskut Sistemik (European Systemic Risk Board), paralajmëron për dobësi në sistemin financiar, duke përmendur rritjen e mprehtë të çmimeve të pasurive të paluajtshme rezidenciale dhe kredive hipotekore. Bordi pret gjithashtu, që rritja e normave të interesit dhe rënia e të ardhurave reale të çojë në presion, për uljen e çmimeve të pasurive të paluajtshme rezidenciale dhe të çojë në realizimin e rreziqeve ciklike.

Çmimet në “zonat e tjera” të Kroacisë u rritën me 17.5%

Në tremujorin e fundit të vitit 2022, çmimet e shtëpive dhe apartamenteve në Kroaci u rritën me 17.3%, ndërsa në nivel tremujor u rritën me 4.7%. Zagrebi kryesoi me një rritje prej 22.5% në pronat e banimit, i ndjekur nga Adriatiku me 12.9%.

Në zonat e tjera të Kroacisë, çmimet u rritën me 17.5%. Në nivel vjetor, çmimet e ndërtesave të banimit u rritën me 14.8%, ku ndërtimet e reja janë mesatarisht 17.5% më të shtrenjta, ndërtesat ekzistuese rezidenciale 14.5% më të shtrenjta.

Ndërsa tregu kroat i pasurive të paluajtshme vazhdon të performojë mirë, ka rreziqe që lidhen me rritjen e qëndrueshme të çmimeve. Rekomandohen masa, për të shmangur përshpejtimin e mëtejshëm të çmimeve të banesave dhe apartamenteve, duke përfshirë subvencionet shtetërore për kredinë për banesa dhe masat për parandalimin e rritjes së borxhit të familjeve. /Croatia Week/