Lufta ndaj punës së padeklaruar, nëpërmjet digjitalizimit

Krijimi i një databaze të përbashkët elektronike në mes të institucioneve mbikëqyrëse të punësimit, Inspektoratit të Punës dhe ATK, do të ultë dukshëm informalitetin në çfarëdo lloj të punës. Zëdhënësja  e ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefa, thotë se vetëm në këtë tre mujor, ATK ka arritur që të identifikojë rreth 500 punëtorë pa kontrata pune.

Forcimi i qeverisjes digjitale luan një rol të rëndësishëm në uljen e informalitetit në punësim.

Duke folur për Radio Kosovën zëdhënësja e ATK-së, Valentian Bytyqi-Sefa, tha se në luftimin e kësaj dukurie, duhet një databazë e përbashkët e sistemit elektronik ndërmjet institucioneve mbikëqyrëse të punësimit: Agjencisë së Punës, Inspektoratit të Punës dhe ATK-së.

Reklama e sponzorizuar

Edhe pse kjo e fundit është e digjitalizuar plotësisht, akoma mbetet sfidë mbikëqyrja e plotë e të punësuarve në nivel vendi, thotë Bytyqi-Sefa, ku sipas saj, në tre mujorin e parë të këtij viti, janë  identifikuar  rreth 500 punëtorë, pa kontrata pune.

“Me Inspektoratin e Punës kemi nënshkruar një memorandum të bashkëpunimit, në përpjekje të dy institucioneve për të trajtuar punën e padeklaruar. Vetëm në këtë tre mujor, kemi identifikuar rreth 500 punëtorë dhe i kemi regjistruar në listë të formalizimit”, thotë Sefa për radio Kosovën.

“Konsiderojmë se IP shumë shpejt do të ketë platformë digjitale, të cilat do të rrisin veprimet që janë të planifikuara. Jemi duke hyrë në një sezon ku shumë sektorë e shumëfishojnë aktivitetin e tyre, e në të shumtën e rasteve, ata i konsiderojnë sezonalë dhe nuk hynë në listat e deklaruara të punësimit”.

Se kjo mbetet sfidë, vlerëson edhe Brikena Hoxha nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet. Sipas saj, një databazë e përbashkët, do të jetë më e lehtë si për punëdhënësin ashtu edhe për punëmarrësin, sepse është e paimagjinueshme që me letër dhe kimik të bëhen inspektime.

“Me ardhjen e digjitalizimit ku do të lidhet ATK e të gjithë  faktorët,  ne kemi dalë në inspektoratin në inspektime, Shkon dhe i thua ama kontratën e punës, edhe punëdhënësi thotë: sot ja ka nis punës,  nëse me ligj i bëhet i obligueshme, edhe atë ditë shkon në punë dhe regjistrohet te ATK, shkon inspektori në inspektim edhe e shkruan emrin  e punëtorit dhe në data bazë del automatikisht ku ka fillua, në çfarë sektori dhe informacionet e tjera”, thotë Hoxha.

Zyrtarët theksojnë se me lidhjen e përbashkët të sistemit elektronik, rritet shkëmbimi i informatave në kohë reale, gjë e cila është shumë më e lehtë për rastet që mund të jenë potencialë për evazion fiskal apo për punë të paformatizuar.