Me çfarë çmimesh po shitet energjia elektrike në bursën shqiptare – ALPEX?

Me hapjen e tregut një ditë në Avancë të bursës shqiptare ALPEX, ka filluar dhe tregtimi i energjisë në tregun e lirë.

Sipas të dhënave në webfaqen e ALPEX, energjia në bursë për ditën e djeshme, 14 Prill është ofruar me çmim mesatar për MWh prej 134.48€.  Çmimi më i lartë është shënuar në orën 7 të mbrëmjes me 207.7€/MWh. Kurse çmimi më i ulët ka figuruar në orën 4 pasdite me 83.74€/MW.

Reklama e sponzorizuar

Çmime të ngjashme kanë qenë dhe në ditët paraprake. Ku të mërkurën më 12 Prill, ditën e parë të tregut një ditë në avancë të ALPEX, çmimi mesatar ka qenë 130.98€/MWh. Kurse vlera maksimale, e vërejtur përsëri në orën 7 të mbrëmjes ka qenë 185.58€/MWh, kurse çmimi më i ulët ka qenë 105.49€/MWh në orën 2 të pasditës.

Më datën 13 Prill çmimi mesatar, maksimal dhe minimal kanë qenë 114.87€/MWh, 148.03€/MWh në ora 19:00 dhe 88.56 në ora 16:00, respektivisht.

Ndërkaq, gjatë ditës së sotme, në orën 12:00, çmimi i megavatit ka qenë 96.53 euro, kurse çmimi më i lartë për sot pritet të jetë në orën 19:00, ku një megavat do të tregtohet për 156.10 euro.