Miratimi në Komisionin për Buxhet i Projektligjit për Tatimin në Pronë, ku qytetarëve do t’u falen 100 euro nga faturat, ka nxitur përplasje në Kuvendin e Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri kërkoi nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati që të tregojnë se pse e kanë marrë këtë vendim.
“A ka mundësi me na tregu pse po doni mi bankrotua komunat me ligjin për faljen e Tatimit në Pronë, 40% të buxhetit të vitit të ardhshëm për të hyra vetanake po dëshironi me ua humb. Po ju duket qesharake është turp që po qeshni, a është synim politik me i bankrotua komunat apo çka. Nëse doni me fal tatimin në pronë subvencione”, ka thënë Tahiri.
Ai ka shtuar se “nëse është vendim politik ne do ti përdorim të gjitha mekanizmat për ti ndalë këto”.
Pas kësaj është përgjigjur ministri Hekuran Murati. Murati ka thënë se Projektligji për Tatimin në Pronë ka ardhur si rezultat i kërkesës nga ky paralamet.
“Ka qenë pikërisht opozita që ka kërku të lehtësohet barra e qytetarëve sa i përket Tatimit në Pronë. Pas diskutimeve që kemi pas në Komisionin për Buxhet ka ardh ky Projektligj. Kërkesa dhe propozimi për faljen deri në 100 euro të faturave të secilit qytetar ka rrjedhë pas diskutimeve që janë ngrit nga deputetët opozitarë”, tha Murati.
Ministri shtoi se nuk është synimi që të bankrotojnë komunat, përkundrazi për vitin e ardhshëm parashihet rritje e buxhetit për komunat.
“Sa i përket të hyrave vetanake ajo çështje është rregulluar me nenin dhe me amendamentin që ka propozu LDK. A e kanë bërë mirë apo gabim mund ta vlerësoni edhe ju, nëse nuk kanë ditë me shkru qysh duhet le t’na tregojnë dhe e shqyrtojmë gabimin”, tha Murati.