Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë sot kërkesën për paraburgim, me arsyetimin se Krasniqi mund të ndikojë te dëshmitarët.
Krasniqi dyshohet për “keqpërdorim të pozitës zyrtare” e po ashtu për “konflikt interesi”.
Kujtojmë se, Njësia e Veçantë e Hetimeve ka bastisur zyrën e Krasniqit në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, “me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura”, ka njoftuar prokuroria.
“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, ka njoftuar prokuroria.