Nis operimin Bursa Shqiptare e Energjisë

Fotografi ilustruese

Bursa Shqiptare e Energjisë ka nisur operimin përmes ankandit të parë.

Ambasadorja e SHBA-ve, në Tiranë Yuri Kim e pranishme në këtë aktivitet theksoi se synim i SHBA-ve është që të shohë Shqipërinë që të rrisë potencialin energjetik.

“Me rëndësi është integrimi ekonomik në Europë, duke përdorur sisteme tregu, ku Shqipëria do ketë mundësi që të bashkohet me shtetet e tjera. SHBA kanë qenë krenare për këtë vend, USAID ka qenë aty që nga hapja e bursave. Kur punojmë se bashku mund të arrijmë gjera të mëdha. Shqipërinë duam ta shohim që të rrisë potencialin energjetik. Ky bashkim tregu do të integrojë Shqipërinë në tregun paneuropian për rritjen e sigurisë në këtë sektor. Do ketë më shumë furnizim dhe çmime më të mira.”, tha ambasadorja e SHBA-ve.

Reklama e sponzorizuar

Sipas një vendimi të marrë pak ditë më parë nga qeveria shqiptare u përcaktuan procedurat e zbatimit dhe fillimit të aplikimit të regjimit të veçantë për Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike.

Sipas këtij vendimi, tregtimi i energjisë elektrike në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike kryhet në përputhje me modelin e tregut të energjisë elektrike dhe rregullat e tregtimit, miratuar me vendimin nr. 347, datë 27.12.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike”.

Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike, në rolin e saj si kundërpalë qendrore, vendoset ndërmjet transaksioneve të palëve brenda tregut të energjisë elektrike dhe merr rolin e blerësit kundrejt kundërpalës shitëse dhe rolin e shitësit kundrejt kundërpalës blerëse, me qëllim garantimin e transaksioneve.

Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike, sipas modelit të tregtimit të energjisë elektrike, nuk kryen në mënyrë të drejtpërdrejtë veprimtari të shitblerjes së energjisë elektrike, por ofron shërbimin e administrimit e të garantimit të kësaj veprimtarie, nëpërmjet platformës së tregtimit, klerimit dhe shlyerjes, si kundërpalë qendrore. Duke pasur këtë rol për të gjitha transaksionet që kryhen në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike, si në blerje ashtu edhe në shitje të energjisë elektrike, Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike ka edhe përgjegjësinë e lëshimit të faturës, si për blerësin ashtu edhe për shitësin e energjisë elektrike.

Operimi i bursës do të nisë me kompanitë publike të energjisë, që do të kryejnë transaksione me njëra tjetrën, duke qenë se aktualisht janë të vetmet që janë anëtarësuar në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike. Bëhet fjalë për OSHEE Group, Operatori i Sistemit të Transmetimit, Korporata Elektorenergjetike Shqiptare dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes. /Gazeta Express/