Numri total i konsumatorëve që mbajnë statusin e vetëprodhuesit të energjisë elektrike në Shqipëri arriti në 1025 në fund të vitit 2022, ndërkohë që kapaciteti total i instaluar nga kjo kategori shkoi në 102 618 kWp.
Të dhënat zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë tregojnë një rritje të ndjeshme të impianteve të instaluar gjatë vitit që lamë pas, kryesisht nga bizneset, si pasojë e rritjes së çmimit me të cilin duhet të siguronin energjinë.
Më konkretisht, gjatë vitit që shkoi u regjistruan 438 aplikime për konsumatorët jofamiljarë dhe 141 aplikime nga konsumatorët familjarë. Në raport me një viti më parë, numri i konsumatorëve që kanë patur interes për të instaluar panele diellore, me qëllim vetëpordhimin e energjisë është mbi 180% më i lartë, duke qenë se gjatë vitit 2021, pati 206 aplikime për ushtrimin e aktivitetit të vetëprodhuesit.
Për vitin 2022 nga “çatitë me panele diellore” u prodhua 12.3 mln kËh energji, apo 78 % më shumë në raport më një vit më parë.
Interesi i shtuar për vetëprodhimin e energjisë nga ana e bizneseve, erdhi pas shtrenjtimit të çmimeve në bursë, si dhe pas nxjerrjes së tyre në tregun e liberalizuar në janar të vitit të kaluar, që solli përballjen me çmime të larta të energjisë.
Ndonëse pjesa më e madhe e tyre vijojnë të furnizohen nga Furnizuesi I Shërbimit Universal, që po luan rolin e Furnizuesit i Mundësisë së Fundit, tarifat e energjisë përsuan rritje. Aktualisht, bizneset e liberalizuar të lidhur në tensionin 20, 10 dhe 6 KV tarifohen me 18.26 lekë/kWh, çka nënkupton një rritje me 70% për një pjesë prej tyre.
/SCAN